zoom

Bota

“Ka lidhje me një organizatë islamike”- Benzema kërcënon me padi për shpifje ministrin francez

Ylli i futbollit francez, Karim Benzema po kërcënon të shkojë në gjykatë pasi ministri i Brendshëm Gerald Darmanin e akuzoi atë për lidhje me organizatën islamike Vëllazërinë Myslimane.

Ministri reagoi pas komenteve të bëra nga Benzema në X, ku futbollisti u shpreh: “Të gjitha lutjet tona janë për banorët e Gazës që janë sërish viktima të këtyre bombardimeve të padrejta që nuk kursejnë gratë dhe fëmijët”.

Ministri Darmanin tha se ish-sulmuesi francez ishte “i njohur për lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane”.

“Ne po luftojmë një organizatë që është Vëllazëria Myslimane, sepse ajo krijon një atmosferë xhihadizmi”, tha ai për kanalin e lajmeve CNews.

Futbollisti, i cili tani jeton dhe luan në Arabinë Saudite, autorizoi avokatin e tij në Paris të mohojë akuzat  dhe të kërcënojë me veprime ligjore kundër Darmanin për shpifje.

“Karim Benzema nuk ka pasur kurrë marrëdhënie me këtë organizatë”, tha Hugues Vigier.

“Të lutesh për një popullsi civile që jeton nën bomba… nuk është as propagandë për Hamasin, as bashkëpunim në terrorizëm, as një akt bashkëpunimi. Është dhembshuri e natyrshme përballë asaj që shumë njerëz e cilësojnë si krime lufte… por që në asnjë mënyrë nuk e ul tmerrin e veprimeve terroriste [Hamasit] të kryera më 7 tetor”, tha ai.

Ai tha se Karim Benzema po konsideronte gjithashtu veprime ligjore kundër deputetes së krahut të djathtë Nadine Morano, e cila e përshkroi atë si një “element propagande për Hamasin”.