Aplikacion
Jeff Bezos jeton sipas një parimi të thjeshtë: të kufizosh numrin e gjërave që do të doje t’i kishe bërë ndryshe kur të jesh 80 vjeç. Ai e quan këtë, me zakonet e tij tipike prej “mendjemadhi”, “kuadri i minimizimit të pendesës” (regret-minimisation framework). Në vitin 1994, kjo filozofi e bëri atë të linte një punë të rehatshme në një fond investimesh për të themeluar Amazon. Ajo është baza e shumë prej basteve të mëdha të tij — nga shërbimi “Prime” deri te kompania “Cloud AWS” — që e kanë kthyer Amazon në një gjigant teknologjik me vlerë 2.3 trilionë dollarë dhe vetë atë në një nga njerëzit më të pasur në botë.
Kjo filozofi shpjegon gjithashtu pse, gjashtë vite më parë, Bezos u nda nga gruaja e parë, pas 25 vitesh martesë, për një ish-prezantuese televizive, Lauren Sánchez dhe pse, sipas disa vlerësimeve, shpenzoi 50 milionë dollarë për të marrë me qira Venecian për tre ditë për dasmën e tyre luksoze që nisi më 26 qershor, pa e vrarë mendjen për reagimet antiplutokratike.
Bezos, tashmë 61 vjeç, ka gjasë që sot të ketë një ide edhe më të qartë se çfarë mund të pendohet në të 80-at, krahasuar me kohën kur ishte 31, 41 apo 51 vjeç. Për të kuptuar më mirë logjikën e tij aktuale mjafton të shohim dy gjëra: si e shpenzon kohën dhe si e shpenzon pasurinë prej 240 miliardë dollarësh.
Dashuria e tij, Hëna
Sapo milioneri të kthehet nga muaji i mjaltit, detajet e të cilit janë po aq të fshehta sa vetë dasma ishte e bujshme, Bezos do t’i rikthehet dashurisë tjetër të jetës së tij, Blue Origin.
Ai ka qenë një adhurues i hapësirës që kur pa uljen e Apollo 11 në Hënë në vitin 1969, kur ishte vetëm pesë vjeç. Në vitin 2000, ai themeloi “Blue Origin”, një kompani raketash me moton në latinisht: “gradatim ferociter” — “hap pas hapi, me forcë”. Qëllimi përfundimtar: të bëjë udhëtimin në hapësirë më të lirë dhe të përsëritshëm, për të mundësuar që njerëzimi të rritet në hapësirë me burime të bollshme dhe të pastra, ndërkohë që Toka të ruhet si një rezervat natyror në shkallë planetare.
Derisa u tërhoq si CEO i Amazon në vitin 2021, Bezos i kishte lënë një gjysmë dite çdo javë (plus mëngjeset e të shtunave) për të shndërruar këtë fantazi shkencore në realitet. Ai e ka pranuar vetë se një nga arsyet pse u tërhoq nga drejtimi i Amazon ishte se “Blue Origin” po lëvizte shumë “gradatim” dhe jo mjaftueshëm “ferociter”.
Ndërkohë që SpaceX — rivali i krijuar dy vite më pas — dërgonte dhjetëra ngarkesa në orbitë çdo vit, “Blue Origin” nuk kishte realizuar ende asnjë lëshim.
90% e kohës për në hapësirë
Në katër vitet e fundit, sipas vetë Bezos, ai i ka kushtuar 90% të kohës së tij Blue Origin-it. Ai e zotëron plotësisht kompaninë, por nuk e menaxhon çdo ditë. Këtë punë e bën David Limp, një ish-ekzekutiv i Amazon që është marrë më parë me projektet si Alexa, Kindle dhe Project Kuiper, një iniciativë për internet me satelitë që sfidon Starlink-un e Elon Musk.
Por sipas burimeve të brendshme, Bezos është në fakt bashkë-CEO dhe “zjarrfikës” i përhershëm i problemeve. Ai ndërhyn për të përmirësuar efikasitetin e katër fabrikave dhe shtatë zyrave të Blue Origin në të gjithë Amerikën. Vendimi për të pushuar nga puna 10% të 14,000 punonjësve në muajin shkurt — për shumëkënd — mban vulën e tij të ftohtë dhe të pamëshirshme. Pa shumë pendesë, të paktën jo për Bezos.
“Blue Origin” në orbitë
Kohët e fundit, ka pasur më pak arsye për pendesë në Blue Origin. Dy vjet më parë, kompania fitoi një kontratë për të ndërtuar një modul ulës për misionin e NASA-s për të kthyer njerëzit në Hënë. Në janar, raketa New Glenn realizoi udhëtimin e saj të parë të suksesshëm në orbitë (edhe pse faza e parë e ripërdorshme nuk u rikuperua, siç bën SpaceX). Nisja e dytë është planifikuar për muajin gusht.
Ndërkohë që Elon Musk, drejtuesi shpërthyes i SpaceX, po prish marrëdhëniet me presidentin amerikan, Bezos i ka zbutur tonet. Ai e ftoi Biden në dasmë (refuzuar), dhe ka zbutur qasjen anti-Trump të Washington Post, gazeta që zotëron vetë.
Çfarë bën Bezos pjesën tjetër të javës?
Amazon, ku ai mban rolin e kryetarit ekzekutiv, po lulëzon nën drejtimin e pasardhësit të tij të zgjedhur, Andy Jassy. Washington Post, ndërkohë, duket gjithnjë e më shumë si një shpërqendrim.
Përkundrazi, aktiviteti tjetër madhor i Bezos është Bezos Earth Fund — një fondacion prej 10 miliardë dollarësh për mbrojtjen e mjedisit. Nëse Blue Origin po punon për të bërë hapësirën të banueshme për të ardhmen, ky fond synon ta mbajë Tokën të banueshme në të tashmen.
Nga qielli te toka, si investon Bezos
Kjo filozofi binare (hapësirë dhe Tokë) reflektohet edhe në investimet financiare të Bezos — edhe pse më pak sesa në kohën e tij.
Pjesa më e madhe e pasurisë së tij prej 240 miliardë dollarësh vjen nga 8.6% e aksioneve të Amazon, me vlerë afërsisht 200 miliardë dollarë. Këto menaxhohen pjesërisht nga zyra familjare Bezos Expeditions, e cila sipas PitchBook menaxhon 108 miliardë dollarë në aktive — sa fondi i pensioneve i shtetit të Ohio-s.
Në të kaluarën, Bezos ka investuar herët në kompani si Airbnb, Twitter, Uber, etj. Edhe pse ka përfituar mirë kur ka shitur aksionet përpara se të dilnin në bursë, performanca e tyre më pas ka qenë modeste — më mirë se S&P 500, por më dobët se indeksi Nasdaq apo Amazon.
Për në hapësirë… tullac dhe pa pendesë
Sot, investimet e Bezos Expeditions janë më të guximshme dhe më të lidhura me vizionin për një njerëzim hapësinor, që nuk harron Tokën. Disa nga investimet e fundit përfshijnë:
Dikush mund ta shohë këtë si mënyrë për të shpenzuar miliarda nga një njeri që e ka kaluar kulmin. Por më mirë kuptohet si realizim i ëndrrës së fëmijërisë, pa pendesë. /The Economist – Përgatiti në shqip, Zoom.al