zoom

Aktualitet

“Iu afrua ta puthte”/ Flet babai i të resë që u ngacmua nga mjeku në Korçë: Dua ta shoh të vdekur

“Iu afrua ta puthte”/ Flet babai i të resë që u ngacmua nga mjeku në Korçë: Dua ta shoh të vdekur

Babai i 21-vjeçares që ka denoncuar mjekun në spitalin e Korçës për ngacmim seksual ka reaguar publikisht, duke kërkuar ndëshkim maksimal për mjekun 72-vjeçar, Nikolla Nunka.

Në një intervistë televizive, ai tregoi versionin e familjes për ngjarjen që, sipas tij, ka tronditur vajzën dhe të afërmit e saj.

Sipas rrëfimit të babait, vajza ishte paraqitur në spital për probleme shëndetësore gjatë kohës që familja ndodhej në Shqipëri për pushime. Ai pretendon se gjatë trajtimit mjekësor, mjeku ka qëndruar shpesh vetëm me të renë në dhomë dhe ka tentuar disa herë të largojë nënën e saj.

Babai deklaroi se në momentet kur vajza merrte mjekim nuk ka pasur infermierë të pranishëm, ndërsa shtoi se sjellja e mjekut ishte bërë shqetësuese ditët e fundit të qëndrimit në spital. Sipas tij, kulmi i situatës ka qenë kur mjeku dyshohet se i është afruar 21-vjeçares me qëllim për ta puthur.

Ai ngriti gjithashtu dyshime edhe mbi operacionin që vajza ka kryer, duke kërkuar verifikime të mëtejshme nëse ndërhyrja për apendicit ka qenë vërtet e nevojshme apo jo.

Familja ka bërë të ditur se do të largohet drejt Gjermanisë, por çështja do të ndiqet ligjërisht përmes një avokati. Babai i të resë u bëri apel edhe personave të tjerë që pretendojnë se kanë pasur probleme me të njëjtin mjek, të mos heshtin dhe të denoncojnë rastet pranë autoriteteve.

“Nuk ka pasur infermierë, vetëm vajza dhe nëna ime. Unë  nuk kam nevojë as për lekë, as për letra, unë jam me dokumente plotësisht të rregullta europiane. Dhe këtë apel për popullin shqiptar e kam që raste të tilla t’i denonconi e të mos keni frikë.

E erdhëm për pushime, i ndodhi kjo dhe e çuam në spital. Vajza mund të mos ketë pasur dhe apendicitin, dua t’i bëjë një analizë a e ka pasur vërtetë apo jo apendicitin apo ia bëri kot ai pedofil operacionin. Vajza rrinte e mërzitur.

Mamaja thotë që vetëm doktori e ka aplikuar mjekimin te vajza, ka qenë doktori dhe nëna ime. Tre ditët e fundit mjeku tentonte ta largonte nënën, që të arrinte qëllimin e tij, deri sa iu afrua ta puthte…

Asnjë infermiere nuk ka pasur në dhomë kur e ka mjekuar. Unë dhe vajza do ikim në Gjermani, por do të lë avokatin të merret me ngjarjen dhe të ndjekë gjyqet. Këtë njeri dua ta shikoj të vdekur dhe nuk i ngopem, ligji të veprojë dhe ta dënojë, të marrë atë që meriton. Të çohen të gjithë kush ka pasur probleme me këtë mjek”, tha ai./ Zoom.al

Postime të lidhura