Aplikacion
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kundërshtuar publikisht raportimet që e lidhin emrin e saj me dosjen e shumëpërfolur “Epstein”, duke theksuar se çdo insinuatë për përfshirje apo kontakt është e pavërtetë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo ka sqaruar se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente e vendit nuk ka pasur kurrë njohje personale, takim apo komunikim të çfarëdolloji me Jeffrey Epstein. Sipas saj, përmendja e emrit në disa media lidhet vetëm me një shkëmbim email-esh mes personash të tjerë, ku ajo nuk ka qenë palë.
Jahjaga thekson se në dokumentacionin e publikuar nuk ekziston asnjë referencë direkte ndaj saj. Ajo shton se në korrespondencën e përmendur përmendet pozita “President i Kosovës”, por pa u specifikuar se për kë bëhet fjalë, dhe pa ndonjë kërkesë konkrete për takim.
Sipas ish-kreut të shtetit, interpretimet që sugjerojnë lidhje personale janë të pasakta dhe çojnë në keqinformim të opinionit publik. Ajo u ka bërë thirrje mediave që kanë përmendur emrin e saj të publikojnë sqarimin, duke ritheksuar se në asnjë rol institucional që ka mbajtur nuk ka kërkuar apo zhvilluar takim me personin në fjalë.
“Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.
Në këtë email te palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.
Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te vërehet lehtë nga dokumentet.
Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”, shkruan ajo rrjetet sociale./ Zoom.al