zoom

Lajme

Ish-kryebashkiaku socialist, Elvis Roshi paraqitet në SPAK

Ish-kryebashkiaku socialist, Elvis Roshi paraqitet në SPAK

Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas burimeve, Rroshi u thirr në kuadër të procedurave për zgjatje të afateve hetimore.

Rroshi akuzohet për “shpërdorim detyre”, pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2015, lidhur me parregullsi në tenderat e Bashkisë së Kavajës gjatë periudhës 2013–2014. Në qershor, ish-kryebashkiakut i është komunikuar zyrtarisht akuza.

Sipas KLSH, auditimi i kryer në bashki ka zbuluar një sërë shkeljesh në prokurime dhe në fushën e urbanistikës, të cilat dyshohet se kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh. Në raportin e institucionit janë evidentuar raste të përdorimit të standardeve të dyfishta në vlerësimin e operatorëve, skualifikime të pajustifikuara, mosanullim të tenderave kur nuk plotësoheshin kriteret, shpallje fituesish pa të drejtë dhe modifikim dokumentesh tenderi në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike.

Po ashtu, KLSH ka evidentuar shkelje të shumta ligjore në fushën e urbanistikës, përfshirë miratime lejesh pa dokumentacion të plotë, mosfunktionim të Këshillit Teknik, mungesë regjistrimesh në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, si dhe dhënie lejesh zhvillimore pa një instrument të miratuar vendor.

Në total, KLSH ka referuar në Prokurori dy kallëzime penale për Rroshin dhe 10 ish-drejtues të tjerë të bashkisë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa ka rekomanduar masa disiplinore e administrative për 56 punonjës.

Hetimet për dosjen e Rroshit vijojnë.

Postime të lidhura