zoom

Aktualitet

Inxhinieri: Pallati që mori flakë nuk ishte brenda standardeve të ndërtimit. Problemi që në projekt

Zjarri në pallatin e zonës së ish-Parkut mund të ishte shmangur në rast se ndërtesa do të ishte ndërtuar me materialet e duhura dhe brenda standardeve.

Kjo është analiza që bën inxhinieri i ndërtimit Gëzim Beqaj, i cili thekson se kusht kryesor për një material është që të mos vetëdigjet.

“Për mendimin tim unë nuk jam ai që duhet të vendos aty. Materialet e ndërtimit, ajo që është pjesa termike e sistemit kapot duhet të jetë i vetëshueshëm. Nëse bie zjarr në një zonë ai të rrijë i lokalizuar aty ku ka rënë zjarri, pra të mos vetëdigjet. Nëse ka një shkëndijë elektrike të digjet vetëm pjesa ku është zjarri prezent. Unë po shoh që materiali vazhdon dhe digjet në tërë masën e tij. Kjo nuk duhet të ndodhë sipas standarteve të izolimit termik. Po të ishin materialet e duhura dhe të vetëshuheshin nuk do të kishte ndodhur kjo. Ky material nuk është i këshillueshëm. Jo vetëm termiket por edhe dyshemetë. Nuk e di është bërë ndonjë test nga inxhinierët të marrin një copë material t’i vënë zjarrin a është toksike? Shpërndahet zjarri? Materialet një nga kushtet që kanë është të mos vetëdigjen.”

Inxhinieri përmend disa elementë që mund të kishin ndihmuar në parandalimin e zjarrit.

“Kjo fillon që në fazën e projektitmit. Që në projektim duhet të ishin përcaktuar qartë lloji i materialit. Dhe pastaj është detyra e atij që zbaton punimet. Janë disa hallka përgjegjegjëse der isa të zbulohet se kush e ka problemin. Projekti, zbatuesit… Unë mendoj që mbikëqyrësit e punimeve sduhet të emërohen nga ata që bëjnë ndërtimin por të jetë i pavarur, të mos ketë varësi financiare dhe të mos paguhet nga ai që ndërton. Të emërohen dhe menaxhohen nga pushteti vendor”.

“Të gjithë ne inxhinierët duhet të jemi të vëmendshëm të kujdesshëm. Në Shqipëri mungon urdhri i inxhinierit. Urdhi është një nga hallkat që ndikon në disiplinë. Po të ishte një disiplinë korrekte do të ishte më me disiplinë.”

Pallati 10-katësh u përfshi nga zjarri në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, ndërsa zjarrfikësve iu deshën mbi tri orë për shuarjen e flakëve. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, pesë zjarrfikës u asfiksuan ndërkohë që banorët u evakuuan pa pasoja për shëndetin. Objekti me rreth 50 apartamente është ndërtuar në vitin 2021 nga biznesmeni Tanush Mëhillaj.

Administratori i pallatit 10-katësh është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në polici.

Mësohet se përveç administratorit, është shoqëruar edhe pronari i apartamentit që ndodhet në katin e fundit, prej ku mendohet se shpërthyen fillimisht flakët, për t’u përhapur më pas thuajse në të gjithë sipërfaqen përmes fasadës së pallatit.

Pallati është ndërtuar në vitin 2021 nga firma “Mëhillaj sh.p.k.” me pronar Tanush Mëhillaj.