zoom

Sport

Inter përmbys Udinezen dhe kërkon titullin sa më shpejt. Inzaghi: Të mos shohim tabelën

Interi thyeu në limite Udinezen, duke mbajtur të gjallë ëndrrën për të festuar yllin e dytë në fanellë në derbi përballë Milan.

Kjo ishte ndeshja e 31 radhazi në Serie A, që zikaltërit shënojnë të paktën një gol, duke vendosur një rekord të ri në futbollin italian. Inzaghi nuk bën kompromise, edhe pse titulli ka qenë dhe mbetet një formalitet, e ka të vështirë t’i besojnë më shumë minuta lojtarëve si Asllani, me yllin kuqezi që qëndroi në bankinë për 90 minuta.

Pas disa tentative nga ofensiva zikaltër, në një zbritje në sulm në minutën e 40-të, Udinese gjeti golin e avantazhit me Samardzic, ku një goditje e tij pa shumë pretendime nuk u vlerësua si duhej duke përfunduar në rrjetë. Inter reagoi fuqishëm me fillimin e pjesës së dytë, ku në minutën e 55-të fituan një penallti.

Nga pika e bardhë, Calhanoglu u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Inter nuk e uli marshin për asnjë moment, atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 95-të, Frattesi ndoqi mirë aksionin dhe me portën e boshatisur e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke përmbysur rezultatin në 2-1, një fitore me karakter që i afron gjithnjë e më shumë me titullin në Serie A.

Tekniku Inzaghi u shpreh pas ndeshjes:

“I bëj komplimentet e mia djemve, fituam një ndeshje të rëndësishme. Kemi bërë një rrugëtim të mirë deri më tani, por duhet të qëndrojmë të kthjellët dhe të mos shohim tabelën. Përtej datave dhe rekordeve duhet të shohim ndeshje pas ndeshje”. /ZOOM.AL/