Aplikacion
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka prishur vendimin e Shkallës së Parë që dënoi ish-deputetin Alqi Bllako me 4 vite burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke urdhëruar rikthimin e saj për rigjykim nga një trupë tjetër gjykuese.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit të SPAK dhe të vetë Bllakos, i cili kishte kërkuar pafajësi duke argumentuar se posti i tij nuk përfshihet tek zyrtarët e lartë.
Bllako ishte dënuar më 11 mars me 4 vite burg, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, pasi u shpall fajtor për “Korrupsion pasiv” në dy raste. Ai ka edhe një dënim të formës së prerë prej 2 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa çështja për inceneratorin e Fierit është gjithashtu në rigjykim.
Vendimi i gjykatës
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.B., ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Prishjen e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.