zoom

Ide & Blog

Implikimet në sigurinë kombëtare të SHBA pas arrestimit të McGonigal

Rasti i tij tregon se qeveria ka dështuar në monitorimin e aksioneve të ish-agjentëve dhe oficerëve të inteligjencës

Charles McGonigal, ish-Agjenti Special i Ngarkuar (SAC) me kundërzbulimin e huaj në zyrën e FBI-së në New York, është arrestuar dhe akuzuar për shkelje sanksionesh amerikane dhe pastrim parash në angazhimin e dyshuar me një oligark rus. Akuza është vetëm versioni qeveritar i një historie shpesh të ndërlikuar, McGonigal ka pajtuar një avokat të njohur, dhe me siguri do të mësojmë më tepër në vazhdim. Por nëse një oficer i kundërzbulimit i atij niveli u korruptua vërtet nga qeveri të huaja, kjo është një goditje e rëndë për interesat amerikane.

Të hënën, qeveria bëri të njohura akuza të veçanta në New York e Washington on Monday. Padia në New York akuzon McGonigal për shkelje të sanksioneve dhe pastrim parash. Më 2018, Departamenti i Thesarit sanksionoi oligarkun rus Oleg Deripaska, bashkëpunëtor i Vladimir Putinit. Departamenti i Drejtësisë pretendon se në kohën që McGonigal ishte ende në FBI, një oficer i dyshuar i inteligjencës ruse që punonte për Deripaskën i kërkoi ndihmë për t’i siguruar vajzës së tij kryerjen e stazhit në Departamentin e Policisë së New Yorkut. Pretendohet se McGonigal ia plotësoi dëshirën dhe, për habinë e policisë së NY, vajza e oficerit rus pretendonte se ai i kishte dhënë akses në informacion konfidencial të FBI-së.

Sipas aktakuzës, pas tërheqjes nga FBI, McGonigal e Deripaska u takuan jashtë vendit teksa rusi ishte në kërkim të një firme ligjore për ta përfaqësuar në përpjekje për të dalë nga lista e personave të sanksionuar. Firma mori McGonigal si investigues për 25 mijë dollarë. Më pas, pretendon Departamenti i Drejtësisë, McGonigal nisi ilegalisht të punonte direkt për Deripaskën në investigimin e një oligarku tjetër, në këmbim të një shpërblimi 51 mijë dollarë dhe 42 mijë të tjera si pagë mujore. McGonigal akuzohet se i pastroi këto pagesa përmes një biznesi të paidentifikuar në New Jersey, në pronësi të një miku të tij, ku ishte bërë ortak më parë, me identitet të rremë, teksa punonte ende për FBI.

Padia në Washington e akuzon McGonigal për deklarime të rreme në lidhje me financat, kontaktet me të huaj dhe udhëtimet jashtë vendit gjatë kohës që punonte për FBI. McGonigal mori të paktën 225,000 kur ishte ende në Byro për të ndihmuar zyrtarë aktualë dhe ish në Shqipëri e Bosnjë, përfshirë kryeministrin shqiptar, në mundësimin e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, sipas akuzës. Pretendohet se hapi edhe hetime penale në FBI me kërkesë të tyre.

New York City është një maja e spiunazhit. OKB bën që në Amerikë të zbresin zyrtarë nga Rusia, Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Kuba. Diplomatët, atashetë ushtarakë dhe oficerët e inteligjencës së këtyre vendeve kundërshtare e gjejnë veten në atë që FBI e konsideron si terreni i saj: Byroja zotëron rrugët e New Yorkut për qëllime kundërzbulimi. Para zyrës në terren të këtij qyteti gjithë zyrat e tjera janë xhuxhe, dhe Agjenti Special i Ngarkuar me kundërzbulimin është një ekzekutiv i lartë në inteligjencën e SHBA.

Duke pasur parasysh rangun e objektivave në selinë e OKB-së dhe misionet e konsullatat e huaja në Manhattan, McGonigal gëzonte akses të veçantë në operacionet e spiunazhit midis agjencive amerikane dhe shërbimeve të huaja të inteligjencës. Është e rëndësishme të vihet në dukje se asnjë nga akuzat nuk e akuzon McGonigal për spiunazh, por të dyja pretendojnë se ai u ka bërë favore zyrtarëve dhe agjentëve të huaj në këmbim të parave dhe ka gënjyer për to. Implikimet e sigurisë kombëtare janë të rënda, edhe sikur McGonigal t’u ketë ofruar rusëve apo kinezëve informacion në mënyrë të pavetëdijshme apo indirekt.

Tani një vlerësim dëmesh në kundërzbulim duhet të përcaktojë edhe nëse McGonigal ka kompromentuar, qoftë edhe pa vetëdije, hetimin e Prokurorit Special Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016, apo nëse ka ndihmuar operacionet e Moskës për vrasjen e rusëve të devijuar në Perëndim. Përveç rrjedhjes së informacionit nga FBI, a mund të kishte bërë një punë më të mirë inteligjenca amerikane në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë më 2022?

Më tej, është raportuar se McGonigal drejtoi një hetim se pse Kina arrestoi shumë zyrtarë kinezë me akuzat se ata punonin për CIA-n. A janë të komprometuara nga McGonigal vlerësimet e dëmit të shkaktuar nga humbjet e raportuara CIA-s në Kinë?

Më gjerësisht, ndikimi i pashpjeguar i McGonigal si shërbyes civil ngre pyetjen nëse FBI dhe agjencitë e tjera të inteligjencës në SHBA i monitorojnë sa duhet agjentët dhe oficerët e tyre. Ky nuk është vetëm problem i FBI-së: oficerë të CIA-s u dënuan për spiunazh në Kinë më 2019 e 2020. Dhe nuk janë vetëm agjencitë e inteligjencës: Ushtria nuk ka njohuri për çdo interes apo kontroll të pronësive të huaja në punëdhënësit privatë të Gardës Kombëtare dhe anëtarët e shërbimit të rezervistëve.

Mbajtësit e certifikatave të sigurisë të tillë si McGonigal kanë detyrimin ligjor të përjetshëm për mbrojtjen e informacionit sekret, si dhe obligimin moral të informojnë ish-punëdhënësit e tyre për përpjekje rekrutimi nga inteligjenca e huaj. E megjithatë nuk ka asnjë sistem për t’i monitoruar kontaktet e këtyre agjentëve e zyrtarëve pasi largohen nga shërbimi qeveritar, dhe ish-personeli i inteligjencës është objektiv parësor për rekrutim nga qeveritë e huaja. Për shembull, ish-oficerë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare u gjobitën më 2021 sepse punonin për Emiratet e Bashkuara Arabe pa autorizim në formën e licencave të kontrollit të eksportit.

Spiunazhi ka qenë mjet për përparimin e interesave shtetërore që nga kohë që s’mbahen mend, dhe rusët janë ndër praktikuesit më të talentuar e të vendosur të arteve të tij të errëta. Nën drejtimin e Putinit, ish-oficer i KGB, Moska do të vazhdojë të penetrojë në qeverinë amerikane.

Ndërkaq, shumë agjentë të FBI-së dhe oficerë të CIA-s tërhiqen nga shërbimi rreth moshës 50 vjeç me pensione modeste, dhe me 15 apo më tepër vite pune para tyre – tamam në kohën kur godasin shtrëngesat financiare të moshës së mesme. Shumë prej tyre janë edhe aspak familjarë me sektorin privat.

Organizata jo-fitimprurëse dhe biznese tani ndihmojnë tranzicionin e oficerëve të CIA-s dhe NSA në largimin nga qeveria që të mos bien pre e aktorëve të këqij. Por akuza e McGonigal tregon qartë se përveç këtyre përpjekjeve të vullnetit të mirë, duhet edhe një sistem i fortë për obligim të përjetshëm raportimi për ish-personelin e inteligjencës.

*Kevin Carroll ka shërbyer si këshilltar i lartë për Sekretarin e Sigurisë së Brendshme, John Kelly (2017-18) dhe për kryetarin e Komitetit të Kongresit për Sigurinë e Brendshme, Peter King (2011-13), si dhe ka qenë oficer i CIA-s dhe Ushtrisë së SHBA