Aplikacion
Shqipëria pritet të përjetojë ditë të pazakonta për fundin e majit, si pasojë e një vale të nxehtë me origjinë afrikane që ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës. Sipas meteorologëve, vendi ynë ndodhet në periferi të kësaj mase të nxehtë ajrore, por efektet do të ndihen ndjeshëm gjatë gjithë javës.
Temperaturat më të larta parashikohen të regjistrohen të mërkurën dhe të enjten, ku në disa zona termometri mund të arrijë deri në 33 gradë Celsius. Ndërkohë, në vende si Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, vala e të nxehtit po shoqërohet me temperatura ekstreme që shkojnë deri në 40 gradë.
Sipas meteorologëve, rritja nuk do të ndihet vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës. Temperaturat minimale në bregdet dhe zonat e ulëta pritet të shkojnë deri në 17-18 gradë Celsius, duke krijuar atë që meteorologët e quajnë “netë tropikale”, tipike për muajt korrik dhe gusht.
Zonat që pritet të preken më shumë nga temperaturat e larta janë Ultësira Perëndimore, përfshirë Tiranën, Elbasanin, Fierin dhe Shkodrën. Meteorologët theksojnë se këto vlera janë dukshëm mbi mesataren normale për muajin maj.
Kjo situatë atmosferike pritet të zgjasë deri më 28 maj. Pas kësaj date, meteorologët parashikojnë rikthim të reshjeve lokale, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore, ku mund të ketë edhe stuhi të izoluara./ Zoom.al