Aplikacion
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për policin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i ndaluar pas operacionit të gjerë kundër klaneve mafioze shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura këtë të premte, ku trupi gjykues konfirmoi urdhrin e arrestit të dhënë më herët ndaj tij në mungesë.
Sipas hetimeve të SPAK, Haxhiaj, gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale, dyshohet se ka nxjerrë sekrete hetimore dhe është korruptuar nga anëtarë të një grupi kriminal, duke u vënë në dispozicion të tyre. Oficeri i Antiterrorit u arrestua pasi u identifikua si pjesë e grupit kriminal të goditur përmes një operacioni të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane.
Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë nxjerrjen e sekretit hetimor, korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Operacioni i koordinuar me Prokurorinë e Breshias ka goditur një rrjet të mafies shqiptare, që sipas mediave italiane ishte i përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe heroinës nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet tregojnë se grupi kishte bazat kryesore në Rovato dhe Palazzolo, ndërsa logjistika e transportimit dhe shpërndarjes së drogës kontrollohej nga klanet shqiptare.
Prokuroria italiane ka lëshuar 22 masa sigurie, prej të cilave 8 persona janë arrestuar në Breshia. Në total, janë marrë nën hetim 49 persona, mes tyre 46 shqiptarë.
Sipas Giornale di Brescia, autoritetet sekuestruan rreth 3 milionë euro, të ardhura të dyshuara nga aktivitetet kriminale, ndërkohë që fitimet e drogës llogariten të kenë arritur në 12 milionë euro. Kokaina është sjellë në Itali nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina ka hyrë nga Shqipëria.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se droga transportohej përmes autobusëve, ndërsa shoferët nuk ishin në dijeni të ngarkesës së paligjshme./Zoom.al