zoom

Bota

I dërgoi raketa Rusisë/ SHBA vendim drastik ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Iranit në përgjigje ndaj mbështetjes ushtarake që Teherani po i jep Rusisë, përfshirë edhe akuzat e fundit për dërgesa të raketave balistike që Moska t’i përdorë në pushtimin e saj të Ukrainës.

Departamenti amerikan i Thesarit ka shënjestruar me sanksione dhjetë individë dhe gjashtë entitete me bazë në Iran dhe Rusi dhe ka identifikuar katër anije si prona të bllokuara, që sipas Thesarit po i ndihmojnë Iranit në dërgimin e komponentëve të armëve dhe sistemeve të armëve në Rusi. Armët, që SHBA-ja tha se janë transferuar, përfshijnë dronë dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Thesari tha se Iran Air, kompania shtetërore ajrore, është e sanksionuar gjithashtu. Sipas Uashingtonit, veprimet e tij kundër kësaj kompanie ajrore dhe të tjerëve po bëhen njëkohësisht me veprimet që po ndërmerren nga partnerët ndërkombëtarë si Britania e Madhe dhe shtete të tjera europiane.

Njoftimi vjen pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj kyçë evropianë e akuzuan Iranin për përshkallëzim të rrezikshëm të aktiviteteve keqdashëse që kërcënojnë sigurinë evropiane përmes furnizimit të Rusisë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.