zoom

Lajme

Humbi vulën dhe partinë, Basha bën lëvizjen e parë pas vendimit të Apelit. Në orën 17:00 do…

Pak pasi Gjykata e Apelit të Tiranës mori vendimin e kthimit të vulës së PD-së te ish-kryeministri Sali berisha dhe partia e tij e Rithemelimit, Lulzim Basha ka bërë lëvizjen e parë, por ende pa një reagim publik.

Në orën 17:00, mësohet se Basha do të mbledhë strukturat e veta, për hedhjen e hapave te radhës juridikë apo politikë. Aktualisht ai ka të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë, e cila edhe më parë ka rikthyer ëështjen për rigjykim.

Gjykata e Apelit me vendimin e marrë këtë të martë njohu si legjitim vendimet e marra nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit 2021. Vendimi i Apelit duke rrëzuar ankimimin e PD-së zyrtare e cila nuk legjitimohet si palë në proces, lë në fuqi vendimin e 25 marsit 2022 të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri.

Çështja në Apel u shqyrtua nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro. Vendimi i sotëm i Apelit është vendim i formës së prerë.

Kryetari i PD, Sali Berisha ndodhet prej 30 dhjetorit në masën e sigurisë arrest shtëpie pasi refuzoi të zbatojë vendimin e GJKKO për detyrim paraqitje, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. E njëjta masë sigurie rëndon edhe mbi dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi.

Vetë Berisha reagoi dhe apeloi për bashkim të opozitës dhe afrim të kritikëve, duke nënkuptuar Bashën dhe të tijët. /ZOOM.AL/