Aplikacion
Një incident ka shkaktuar panik mbrëmjen e së dielës në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku një 32-vjeçar dyshohet për të shtëna në ajër nga automjeti i tij.
Sipas informacioneve Amarild Xhamaqi, i cili u arrestua nga policia, kishte humbur skedinat dhe në gjendje të irrituar ka nxjerrë armën duke qëlluar në ajër.
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje ai nuk ka dhënë shumë shpjegime para hetuesve, ndërsa rezulton person i njohur për policinë dhe i proceduar më herët për vepra të ndryshme penale.
Policia e Tiranës njoftoi se menjëherë pas sinjalizimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit pistoletë me një fishek në fole, si dhe municion luftarak.
“Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Xh., 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër nga automjeti i tij në zonën e Ali Demit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.