zoom

Lajme

Horoskopi javor: Mundësi të papritura pune dhe përmirësim financiar për disa shenja

Horoskopi javor: Mundësi të papritura pune dhe përmirësim financiar për disa shenja

Hyrja e Venusit në shenjën e Peshqve më 11 shkurt shënon një ndryshim të ndjeshëm emocional dhe praktik për të gjitha shenjat.

Pas një periudhe të ngarkuar me tensione, kjo javë ndihmon në zbutjen e klimës, në rregullimin e marrëdhënieve dhe në qartësimin e çështjeve ekonomike e profesionale, sipas parashikimit të bërë nga Meri Gjini në “Vizion Plus”.

Largimi i Saturnit nga Peshqit drejt fundit të javës rikthen racionalitetin dhe ndihmon në marrjen e vendimeve më të qeta.

Dashi

Kjo javë ju gjen më të prirur për të mbyllur çështje financiare që ju kanë mbajtur pezull. Mund të sistemoni detyrime, pagesa apo plane që lidhen me shpenzime më të mëdha. Në aspektin emocional ndiheni më të qetë dhe më të vendosur për të mos toleruar situata që ju lodhin. Ka prirje për mendime rreth udhëtimeve apo lëvizjeve romantike, sidomos pranë mesjavës.

Demi

Venusi ju favorizon dukshëm. Rritet dëshira për socializim dhe mund të njihni persona që do të kenë rol të rëndësishëm në të ardhmen, qoftë profesionalisht apo në jetën personale. Beqarët kanë mundësi për një njohje serioze. Çështjet financiare lëvizin më lehtë, ndërsa optimizmi ju ndihmon të shihni mundësi aty ku më parë shihnit pengesa.

Binjakët

Fokusi kalon te puna dhe organizimi praktik i jetës. Mund të merrni angazhime shtesë që rrisin të ardhurat, edhe nëse janë projekte të vogla. Kjo javë kërkon disiplinë për të përfituar maksimalisht. Në marrëdhënie, përpiquni të mos analizoni çdo detaj, pasi mund të krijoni tensione të panevojshme.

Gaforrja

Periudhë shumë e mirë për të promovuar veten, idetë apo projektet tuaja. Nëse keni lidhje me publikun, median apo rrjetet sociale, do të keni më shumë vëmendje. Ka gjasa për plane udhëtimi ose bashkëpunime me jashtë. Emocionalisht ndiheni më të hapur dhe më të gatshëm për të shprehur ndjenjat.

Luani

Venusi hap një fazë produktive në çështjet ekonomike që lidhen me bashkëpunime apo institucione financiare. Mund të rishikoni kredi, investime apo plane afatgjata. Në jetën sociale ruani shkëlqimin tuaj dhe do të tërhiqni vëmendje pozitive. Është kohë e mirë për të vendosur baza të sigurta për muajt në vijim.

Virgjëresha

Marrëdhëniet zbuten dhe njerëzit përreth ju shohin më të ngrohtë dhe më të qetë. Është moment i mirë për bashkëpunime të reja dhe për të forcuar lidhjet ekzistuese. Ankthi i mbartur prej kohësh fillon të ulet. Në punë mund të merrni vlerësim ose mbështetje që ju ka munguar.

Peshorja

Një periudhë e lodhshme mbyllet dhe do të ndiheni më të çliruar. Mendimet bëhen më të qarta dhe arrini të organizoni më mirë rutinën. Mund të shfaqen oferta pune apo propozime që vijnë papritur. Kujdesuni për shëndetin dhe ritmin ditor, sepse përmirësimi i brendshëm nis nga kujdesi ndaj vetes.

Akrepi

Venusi rrit ndjeshmërinë dhe dëshirën për afeksion. Është kohë shumë e mirë për jetën sentimentale dhe për të shprehur ndjenjat. Prindërit mund të marrin lajme të mira nga fëmijët. Edhe financiarisht situata paraqitet më e qëndrueshme krahasuar me javët e fundit.

Shigjetari

Kaos i lehtë në fillim të javës, sidomos në ambientin e punës apo familjes, por situata qetësohet gradualisht. Do të ndjeni rritje të vetëbesimit dhe dëshirë për të përmirësuar imazhin tuaj. Kjo periudhë ju ndihmon të vendosni rregull aty ku kishte shpërqendrim.

Bricjapi

Fokusi te çështjet materiale dhe planet afatgjata. Mund të merrni përgjigje pozitive për projekte apo përmirësim financiar. Jeta sociale zgjerohet dhe takimet me familjarë ose miq të vjetër sjellin emocione të bukura. Është periudhë stabiliteti.

Ujori

Ndiheni më të ndjeshëm dhe të ngarkuar emocionalisht, por nuk jeni vetëm. Mbështetja e njerëzve të afërt do të jetë vendimtare. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë. Kujdes në komunikim, sepse mund të tingëlloni më të ashpër seç e mendoni.

Peshqit

Kjo është java juaj për t’u çliruar nga pesha e muajve të fundit. Rritet optimizmi, energjia dhe siguria në vendimet që merrni. Financat përmirësohen gradualisht, ndërsa socializimi shtohet. Mund të filloni projekte të reja me besim më të madh në veten tuaj./ Zoom.al

Postime të lidhura