zoom

Ide & Blog

Himni i Asdrenit, përballë himnit të hipokrizisë!

Kremtimi i 28 nëntorit zakonisht na fut brenda një procesi të sforcuar metamorfoze, ku politika përpiqet të shfaqet e paqtë dhe e bashkuar, shoqëria e përgjegjshme dhe patriotike, me shumëkënd që përpiqet të gjejë brenda vetes Skënderbeun apo Ismail Qemalin e tij.

Pavarësisht shiut, edhe këtë herë vendi hyri në panoramën e festave kuqezi mes një atmosfere ngjyrash, dritash, këngësh e vallesh të udhëhequra prej flamurmbajtësish me deklarata atdhedashurie.

Parada, Koncertet, restorantet, apo dyndjet e pushuesve në pikat turistike ishin kryelajmet e ditës ku turistët ngatërroheshin me heronj dhe heronjtë me politikanë.

Por historia e shpalljes së pavarësisë duket pak më modeste se historia e kremtimit të saj, ku më shumë mendohej sesi do të përparohej sesa si do të festohej, më shumë sesi do të punohej sesa si do të marketohej.

Brenda kësaj aureole festive, të gjithë duket sikur e duan Shqipërinë sot, madje edhe ata që 364 ditë vjedhin, edhe ata që e shajnë, edhe ata që e poshtërojnë imazhin e saj, edhe ata që janë përgjegjës për kontaminimin e një realiteti që po i detyron njerëzit të largohen masivisht.

Nëse nuk do të jetonim brenda këtij realiteti, nuk do të na bënte përshtypje lumi hipokrizisë patriotike dhe as përtypjet e turpit me bukën e dështimeve historike për shkak të krizave politike.

111 vite shtet janë dëshmitarë të kësaj, ku sa hërë janë larguar pushtuesit, në skenë kanë dalë sunduesit, ata që përulen para flamurit edhe kur himn i tij nuk bëhet ai i Asdrenit por ai i shpopullimit.

Mbase nuk tingëllon fort e këndshme të jesh i sinqertë në ditë si kjo, por në një kohë kur njerëzit po duan të ikin nga atdheu, atëherë mbase duhet të festojmë të shkuarën dhe të reflektojmë të tashmen.

Vendi ka përballuar luftra ballkanike, luftra botërore, regjim stalinist, dhe një tranzicion shqiptar i cili sot kremtohet pasi ashtu si në çdo sistem, thuhet se populli po jeton ditët e tyre më të mira. E padyshim i tillë duket kur cirku bie më shumë në sy sesa udhëkryqi ku është vendosur.

Sot vlen të bëjmë një bilanci historik të 111 vjetorit të pavarësisë, personazheve që qëndrojnë si monument vlerash, deri tek kriza e sotme për heronj, jo veç nga ata që vetëflijohen për atdheun por ata që e duan dhe punojnë me integritet për të. Kaq, të tjerat janë dhe mbeten histori.

*Monologu i gazetares Erla Mëhilli në emisionin e 28 nëntorit.