zoom

Sport

Guardiola dhe Ançeloti të kënaqur me fitoret në transfertat e Champions: Nuk ka mbaruar ende

Real Madrid e nisi me këmbën e duhur fazën më të nxehtë në Champions League, dolën me një fitore minimale nga sfida kundër Leipzig, një sukses që Ancelotti e vlerëson:

“Për ne nuk ishte e lehtë, por këtu kështu është. Ishte një ndeshje e ekuilibruar, por ekipi im qëndroi në lojë gjatë gjithë ndeshjes. Kishte shumë aspekte pozitive nga kjo ndeshje, u mbrojtëm mirë, mund të shënonim edhe më shumë, por dhe mund të na barazonin, kjo është e vërtetë.

Lunin zhvilloi një ndeshje të mirë, më të mirën. Ky rezultat është vetëm një avantazh i vogël, askush nuk e mendonte që do ta mbyllnim kualifikimin që në sfidën e parë, ky ishte një rezultat i mirë, por duhen edhe 90 minuta të tjera”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes.

Brahim Diaz, autori i golit të fitores, doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 84-tën, por mesfushori spanjoll qetësoi ambientin duke theksuar se nuk është një dëmtim serioz.

Kurse nga ana tjetër, me statusin e kampionit në fuqi, Man.City shkëlqen në transfertë përballë Copenhagen, rezervon një biletë për në fazën çerekfinale pas suksesit 3-1 në transfertë.

Pep Guardiola shijon një super De Bruyne, me belgun që ishte në versionin e tij më të mirë në këtë mbrëmje, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar dy asiste, njeriu i ndeshjes.

Në minutën e 10-të, pas një aksioni të bukur, De Bruyne i shërbyer në zonë nga Foden gjeti cepin e portës duke kaluar “qytetarët” në avantazh. Danezët u rikthyen në lojë në minutën e 34-të, me Mattsson që dërgoi topin në rrjetë me një goditje shumë të bukur.

Pjesa e parë dhuroi emocione deri në fund, teksa në shtesë, Bernardo Silva i shërbyer nga De Bruyne riktheu edhe një herë Man.City në avantazh. Për të mbyllur praktikisht llogaritë me Copenhagen mendoi Foden, me yllin anglez që në minutën e 92-të shënoi edhe golin e tretë:

“U treguam të zotë, e luajtëm ndeshjen me ritmin e duhur, i lejuam shumë pak një ekipi jashtëzakonisht të organizuar. Na bën të lumtur të sjellim në shtëpi në rezultat të tillë. A na ka bërë fitimi i Champions League më të fortë?

Të fitosh Champions të bën të vetëdijshëm për forcën që ke, por kështu ka qenë prej vitesh, ne jemi gjithnjë aty duke treguar forcën tonë ndeshje pas ndeshje”, u shpreh Guardiola duke mos kursyer fjalët e mira edhe për Kevin De Bruyne. /ZOOM.AL/