zoom

In Zoom

Grupimit “Për PD-në”, kundër Bashës apo kundër Berishës?

Pas humbjes së dytë radhazi, pavarësisht shkaqeve, zërat që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga Partia Demokratike janë zgjuar sërish. Janë të njëjtët individë, me të njëjtën kërkesë të vjetër: Basha duhet t’i hapë rrugën një gare të ndershme në PD.

Thirrja e tyre është e drejtë. Partia nuk është gruaja e kryetarit, me të cilën ai duhet të provojë në pafundësi ta lërë shtatzënë.

“Basha ka dështuar në çdo palë zgjedhje dhe largimi i tij do t’i bëjë mirë Partisë Demokratike”, thuhet në qëndrimin e tyre.

Grupimi “Për PD-në” kërkon reformim të thellë të partisë. Dhe kjo është koha më e përshtatshme për ta nisur atë me një garë të hapur, e cila i ka munguar historikisht PD-së.
Bislim Ahmetaj, anëtar i grupimit, qëllimisht ose nga pakujdesia, e vuri gishtin mbi plagë. “Ne duam të zgjedhim dikë nga antarësia dhe jo një kandidat që na imponohet nga larg. PD nuk ka pasur asnjëherë mundësi zgjedhjeje. Ishte Azem Hajdari, por qëndroi vetëm 50 ditë. Më pas nuk ka pasur zgjedhje”.

Dhe plaga që ai tregoi qartësisht është Sali Berisha. Ai është njeriu që e dominoi këtë parti, që solli Lulzim Bashën në krye të saj nëpërmjet një garë shumë të përfolur përballë Sokol Olldashit dhe që e ka mbështetur edhe në humbjet e njëpasnjëshme. Grupimi “Për PD-në” mendon se kjo erë duhet të marrë fund, se pinjolli i dalë nga rrënjët e Berishës mbeti bisk e s’u bë dot kurrë pemë që lëshon kokrra!

Nga e njëjta tryezë me Ahmetajn e Bujar Nishanin, Arben Imami i tregoi Lulzim Bashës shembullin e Fatos Nanos, për të cilin tha se i bëri nder PS-së dhe vetes me largimin pas humbjes së vitit 2005. Ai nuk e përmendi qëllimisht Sali Berishën, ndonëse edhe Berisha u largua po njësoj nga drejtimi i PD-së në 2013-ën pas humbjes në zgjedhje.

Por ndryshe nga Nano, i cili zgjodhi t’i shkëpuste lidhjet me PS-në, fijet e Sali Berishës vijojnë ta lëvizin edhe sot PD-në si një marionetë.
Janë po ato fije që e mbajnë Lulzim Bashën aty, herë të lidhur e herë si litarë komerdarje shpëtimi.

Kështu, kërkesa e sotme i drejtohej më shumë se çdo here tjetër Sali Berishës.
Ai është i pari që duhet ta lërë të lirë Partinë Demokratike, duke i dhënë lirinë e munguar edhe Lulzim Bashës.
“Do të ketë ndeshje shumë të ashpër politike”, paralajmëroi Arben Imami, duke na treguar të çarën e madhe që është krijuar në mesin e PD-së.

Lulzim Bashën në çdo rast e pret një betejë e tillë. Dhe sido që të dalë nga kjo betejë, në fund ai do të ketë fituar lirinë që i duhet, si për të qëndruar në krye të partisë ashtu edhe për ta lënë atë të lirë që të nisë një epokë të re. /Zoom.al