Aplikacion
Ndonëse Donald Trump, administrata e tij dhe Izraeli flasin për shkatërrim total të programit bërthamor iranian pas sulmeve të përbashkëta 12-ditore Izrael – SHBA, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grosi, bashkohet me zërat që e venë në dyshim këtë.
Në një intervistë për median amerikane CBS, Grossi beson se Irani mund të prodhojë shumë shpejt, sërish uranium të pasuruar që mund të përdoret për prodhimin e bombave bërthamore.
“Kapacitetet janë atje. Do të thoja, për punë muajsh, disa linja centrifugash mund të prodhojnë uranium të pasuruar, ose më pak se kaq. Është e qartë që ka patur dëme të konsiderueshme, por jo shkatërrim total. Irani i ka kapacitetet industriale dhe teknologjike dhe nëse duan, mund të nisin ta bëjnë sërish”.
Grossi nuk e përjashton mundësinë që ngarkesat me uranium të pasuruar, të mos jenë prekur nga bombardimet.
“Nuk e dimë ende ku ndodhet dhe kjo duhet verifikuar. Një pjesë mund të jetë shkatërruar, por një pjesë edhe mund të jetë zhvendosur tjetërkund”.
Gjatë bombardimeve, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore që monitoron programin bërthamor iranian, nuk konstatoi rritje të pranisë së radioaktivitetit pranë impianteve, çka nuk e përjashton mundësinë që uraniumi i pasuruar të mos jetë prekur.