zoom

Aktualitet

Grabitet me armë në mes të Tiranës dyqani i celularëve. Ngjarja pranë Drejtorisë së Policisë

Një person i armatosur hyri sot në një dyqan celularësh dhe i armatosur arriti të kryente grabitjen e disa prej tyre.

Burime policore konfirmuan se ngjarja ka ndodhur paradite, teksa dyqani i celularëve ka rënë pre e vjedhjes.

Sulmi ndodhi në rrugën ‘Myslym Shyri’, në Tiranë, teksa autori mbetet ende i paidentifikuar.

“Një person dyshohet që ka qenë i armatosur ka hyrë brenda dyqanit dhe ka arritur të marrë rreth 15 celularë”, thanë burime zyrtare.

Në pyetje po merret punonjësi i dyqanit, teksa po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

Sipas dëshmisë ai mbante një armë të ngjashme me pistoletë dhe nga frika punonjësi s’ka reaguar.

Autori nuk ka marrë masa të forta maskimi, që mund të çojë në identifikimin e fytyrës së tij shumë shpejt.

“Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e policisë. /ZOOM.AL/