zoom

Aktualitet

Goditje e fortë për projektin e aeroportit të Vlorës/ Aeroporti i Mynihut tërhiqet nga ndërtimi

Goditje e fortë për projektin e aeroportit të Vlorës/ Aeroporti i Mynihut tërhiqet nga ndërtimi

Aeroporti i Mynihut ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht nga projekti i ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Vendimi është bërë publik gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak të Mynihut, ku u konfirmua se kompania e aeroportit, Munich Airport International (MAI), do të përfundojë angazhimin e saj në këtë projekt deri në fund të prillit.

MAI ka qenë e përfshirë në projekt si konsulente për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të ri, por vendimi për t’u tërhequr vjen pas presioneve të shumta nga organizata mjedisore dhe institucione ndërkombëtare. Projekti është kritikuar për ndikimin e mundshëm negativ në ekosistemin e lumit Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, dhe ka qenë objekt kundërshtimesh të forta nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Partia e Gjelbër në Mynih e ka mirëpritur vendimin, duke theksuar nevojën që në të ardhmen aeroporti të mos angazhohet në projekte të diskutueshme që cenojnë mjedisin dhe të drejtat komunitare.

Tërheqja e Aeroportit të Mynihut shihet si një goditje për projektin ambicioz të ndërtimit të aeroportit të tretë ndërkombëtar në Shqipëri, i cili është parashikuar të shërbejë si një nyje e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në jug të vendit./ Zoom.al

Postime të lidhura