zoom

Aktualitet

Goditi në zyrë me qytën e pistoletës Fatmir Metën, shpallet në kërkim drejtori i Mjedisit, Klesti Çela

Goditi në zyrë me qytën e pistoletës Fatmir Metën, shpallet në kërkim drejtori i Mjedisit, Klesti Çela

Drejtori i Mjedisit në Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Klesti Çela, është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet se ka dhunuar në ambientet e institucionit Fatmir Metën, drejtorin e Ekzekutimit të Vendimeve në këtë institucion.

Sipas policisë, Çela dyshohet se, së bashku me tre persona ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës Metën brenda zyrave të IKMT-së. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasin Klesti Çela, pasi dyshohet se dje, së bashku me 3 shtetas ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin Meta, drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve të IKMT-së, në ambientet e këtij institucioni. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Burime bëjnë me dije se konflikti mes palëve lidhet me një grup inspektimi për çështjen e depozitimit të dherave. Fillimisht debati ka qenë verbal mes Metës dhe Çelës, ndërsa një ditë më pas situata ka degraduar në dhunë fizike, ku dyshohet se është përdorur edhe qytë pistolete.

Fatmir Meta është një nga drejtuesit e IKMT-së që ka drejtuar disa aksione të bujshme për shembjen e objekteve pa leje. Së fundmi, ai ka qenë në krye të operacionit për prishjen e ndërtimeve turistike në Theth, ku u shënuan përplasje me banorë të zonës.

Pas ngjarjes, kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Klesti Çelës si dhe të Ervin Bixhës, i cili mbante postin e këshilltarit pranë kryeinspektorit.