zoom

Politikë

Gjykata Kushtetuese i dha “OK” marrëveshjes për emigrantët – Reagon Bardhi: Asnjë surprizë

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi reagoi pasi Gjykata Kushtetuese u shpreh për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Trupa gjykuese i hapi rrugë Kuvendit ta votojë, duke e quajtur marrëveshjen kushtetuese, por sipas Bardhit, vendimi i gjykatës ishte i pritshëm, në kushtet kur sipas tij, institucionet janë të kapura nga Edi Rama.

“Asnjë surprizë nga “Vali Bizhgat në Gjykatën Kushtetuese”! Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që GjK humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje.

Marrëveshja me Italinë cenon sigurinë e interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njëriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, siç Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE dhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare janë shprehur!”, shprehet Bardhi.

Gjykata Kushtetuese dha sot vendimin në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët, duke votuar 5-4 në favor të kësaj marrëveshjeje, që parashikon qëndrimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri për një periudhë kohore.