zoom

Lajme

Gjykata i hoqi vulën e PD – Basha, demokratëve: Mos u mërzisni, betejën s’e kemi për karrige

Lulzim Basha bëri reagimin e parë pasi gjyqtarët e Apelit i hoqën logon dhe vulën e Partisë Demokratike për t’ia dhënë Sali Berishës.

Para se të futej në mbledhje me anëtarët e Kryesisë, Basha tha se nuk komenton vendimet e gjykatës, por shtoi se beteja e demokratëve nuk është për logo e për vulë.

Sipas Bashës, ai dhe mbështetësit e tij luftojnë për idealet e dhjetorit, duke shtuar se prioritet i tij nuk është karrigia.

“Për më shumë se dy orë, në selinë që deri tani njihej si selia e PD-së zyrtare Basha mblodhi anëtarët e Kryesisë.

Nuk komentoj vendimet e gjykatave ky është dhe një standard i imi që kemi deklaruar se do t’i përmbahemi dhe në rastin e vendimit të Apelit.

Ajo që dua t’u them dhe atyre që janë mërzitur, u them që të mos mërziten, sepse këtë betejë nuk e kemi nisur për vulë apo karrige por për idealet.

Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste.

Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë.

Nuk e komentoj vendimin e gjykatës, kemi vendosur një standard të tillë. Vendimet për hapat do t’i diskutojmë tani me kolegët, prandaj jemi mbledhur. Të gjitha vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë me qindra, mijëra demokratëve, synimi kryesor i të cilëve është largimi i një ore më parë i kësaj qeverie dhe hapja e perspektivës të një Shqipërie që meriton shumë më shumë se sa ç’ka sot.

Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten ndryshe për shkak të titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politikë, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit, nuk është tituli, ofiqi, karrigia apo logo, por është përkushtimi ndaj një Shqipërie më të mirë që meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”, tha Basha.