zoom

Aktualitet

GJKKO lë në burg “Baronin e drogës”, Gëzim Çela mohon akuzat, do vuajë dënimin me 11 vite

Gjykata e Posaçme i caktoi sot në kushte të larta sigurie, masën “arrest në burg” të sapoekstraduarit nga Kosova, Gëzim Çela, i cilësuar edhe si “Baroni i drogës”.

Gjatë seancës ai ka mohuar akuzat e reja të SPAK, për operacionin e Fushë-Kuqes, ku u zbuluan armë dhe drogë, që trafikoheshin nga lugina e Patokut me gomone.

Po ashtu Gëzim Çela ka nisur që të shlyej edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, më 7 dhjetor 2015.

Në atë kohë, Çela është dënuar për trafik droge me 10 vite e 8 muaj burg, teksa edhe në vitin 2000 pati proces nga Italia për narkotikë, por u lirua çuditshëm si i sëmurë me kancer në vitin 2004.

Çela u arrestua më 9 dhjetor në fshatin Dardani të Ferizajt, nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Me të ishte dhe personi që e ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë.

Gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në të njëjtën shtëpi u gjet dhe sekuestrua një kallashnikov me 15 fishekë.

55-vjeçari, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, ishte shpallur në kërkim nga SPAK në operacionin “Flakë në Det” në 9 tetor 2023, pas disa muajsh hetime ku më 15 gusht u godit një grup kriminal që tentoi të shkëmbej lëndë narkotike në mes të detit. /ZOOM.AL/