Aplikacion
Një sasi armësh dhe municionesh është zbuluar paraditen e së enjtes në zonën e pyllit të Sodës, pranë kanalit të hidrovorit në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për katër granata dore dhe dy armë automatike, të cilat janë gjetur të fshehura në këtë zonë. Dyshohet se armët mund të kenë qëndruar aty prej shumë vitesh, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me mundësinë që ato të jenë braktisur që prej periudhës së trazirave të vitit 1997.
Pas sinjalizimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për qytetarët.
Verifikimet e para tregojnë se armët dhe granatat kanë qenë të mbështjella dhe, sipas ekspertëve, nuk paraqisnin rrezik të menjëhershëm në momentin e zbulimit.
Ndërkohë, në vendngjarje janë angazhuar specialistët e strukturave përkatëse, të cilët do të kryejnë procedurat për largimin dhe asgjësimin e municioneve. Paralelisht, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar në zonën e pyllit të Sodës.

Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës