Aplikacion
Klubi ekuadorian i futbollit Astillero FC, që garon në Kategorinë e Dytë, është përfshirë në një debat të fortë publik pas publikimit të një hetimi nga gazetari Andersson Boscan. Mediat vendase raportojnë se në investigim ngrihen dyshime për parregullsi serioze financiare në menaxhimin e klubit, si dhe për lidhje të mundshme me mafian shqiptare.
Sipas Boscan, gjatë vitit 2023 Astillero FC ka deklaruar shpenzime që arrijnë rreth 3.5 milionë dollarë amerikanë, ndërkohë që të ardhurat e regjistruara, bazuar në dokumentacionin financiar të analizuar nga ekipi i tij, nuk kanë kaluar 100 mijë dollarë. Diferenca mbi 3 milionë dollarë konsiderohet një nga pikat më problematike të raportit.
Hetimi thekson se niveli i lartë i shpenzimeve ka vijuar edhe në vitet pasuese. Për vitin 2024, shpenzimet e raportuara kapin vlerën e 2.7 milionë dollarëve, ndërsa për vitin 2025 rreth 1.8 milionë dollarë, ku vetëm pagat e skuadrës profesionale llogariten në afro 500 mijë dollarë në vit.
Gazetari ka vënë në dyshim edhe burimet e të ardhurave të deklaruara nga klubi, veçanërisht ato që lidhen me qiranë e fushave sportive, të cilat, sipas tij, nuk janë të justifikueshme në aspektin operacional.
Në raport përmendet edhe emri i Héctor Pesantes Sangurima, themelues dhe ish-drejtues i Astillero FC, i cili sipas Boscan lidhet me kompaninë private të sigurisë Agusegpro. Kjo kompani është përmendur më herët nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit në një hetim për lidhje të dyshuara me një rrjet kriminal ndërkombëtar, të cilin gazetari e lidh me mafian shqiptare.
Boscan thekson se bëhet fjalë për akuza që janë ende nën hetim dhe nuk përbëjnë vendime apo konkluzione gjyqësore.
Pas publikimit të investigimit, Astillero FC reagoi me një deklaratë zyrtare, duke mohuar çdo lidhje me aktivitete të paligjshme. Klubi i ka cilësuar akuzat si të pavërteta dhe të dëmshme për imazhin dhe reputacionin e institucionit, drejtuesve dhe anëtarëve të tij.