Aplikacion
Gerry Kokalari (Gary) ka një pikë të dobët në angazhimet e tij alarmuese. Për mua ka mungesë integriteti dhe mungesë koherence për “atdhe-dashurinë” e përbetuar.
Nuk mbaj mend nëse e kam takuar ndonjëherë si minister i Financës në vitin e zi 1997. E kam “takuar” në vitin 2005 kur fitova të drejtën të isha Senior Fellows në Qendrën për Biznes dhe Qeverisje në Universitetin e Harvardit.
Një ditë, pas disa sulmesh agresive nga PD dhe Gerry veç e veç si emra, por të unifikuar në shpirtin e tyre të ligë, Gerry i kishte shkruar Departamentit të Shtetit që unë dhe ish-Ministri i Rendit, që akuzoheshim sipas akuzave që bënte ai, PD dhe Mjafti , ishim pranuar në universitetet amerikane. Me PD-në dhe “Mjaft” e kisha të lehtë, por me Gerry-in amerikan duhet të këshillohesha.
Pyeta një profesor amerikan të Harvardit. Këshilla ishte të mos merresha fare me të. E para, sepse e mbronte Amendamenti i pare i Kushtetutës amerikane. Arsyeja e dytë, sipas profesorit amerikan, tipat si Gerry që bëjnë vetëm letra në qindra drejtime nuk gëzojnë kredibilitet tek institucionet amerikane.
Gerry i bën letrat edhe në Kongres dhe Senat, nuk lodhet me goditje deformuese dhe shërbyese për interesa që vetëm ai i di apo i vetëjustifikon.
Duke mos vënë dyshim aftësitë e tij profesionale, provat janë kundër madhështisë së tij mbivlerësuese. Fakti certifikues është se asnjë letër e Gerry-it nuk ka krijuar ndonjë tronditje në politikën shqiptare dhe aq më pak në atë globale.
Seanca kundër Shqipërisë janë bërë në Kongres dhe Senat edhe nga Kreshnik Spahiu edhe nga Erion Veliaj, bile së bashku. Prandaj populli i këshillon politikanët: “Kurrë mos u bëni të tjerëve atë që nuk doni që të tjerët t’ua bëjnë juve”.
Po si ka mundësi krye-atdhetari dhe krye-antikorrupsionisti nuk bën qoftë edhe ndonjë vërejtje përmirësuese, sepse duket se kritika publike nuk bën dot- ndaj mazhorancës aktuale.
Aq më tepër që institucionet e SHBA, duke filluar nga Departamenti i Shtetit apo institucionet e sigurisë kombëtare edhe gjatë presidencës Biden , janë zyrtarisht shumë kritike.
Akses në media gjendet lehtësisht. Besoj se ky grup “shqiptaro-amerikanë” vlerësojnë se kontributi i tyre rritet proporcionalisht me numrin dhe kronologjinë e letrave publike denoncuese.
Fati më ka ndihmuar t’i shërbej vendit tim jo me letra shpifëse kundër të tjerëve, por me reforma.
Boll me stimulimin e ‘letërshkruesve’ sa herë ajo u shërben vetëm qëllimeve personale.
Boll me politikën përbuzëse ndaj vendit tonë, aq më pak në kancelaritë e huaja nga çdo individ dhe forcë politike.
Pasi kancelarite perendimore kanë zyra të përkushtuara dhe ekspertizë të thellë për analizat e zhvillimeve brenda partive politike. midis politikanëve e partive politike dhe per politikanët..
Edhe lufta me akuzat e rënda me shpifje përbuzëse reciproke midis Konicës me Fan Nolin nuk u soll ndonjë dobi asnjërit prej tyre, aq më pak Shqipërisë. /Nga Arben Malaj – Titulli, i redaksisë së Zoom.al
*Shkrimi është një reagim i ish -ministrit Arben Malaj ndaj një letre që Gary Kokalari u dërgoi lobistëve amerikanë për të bërë transparente financimin e Sali Berishës.