zoom

Politikë

Gardh te foltorja, flakadanë dhe bilbila. Parlamenti mbyllet në 10 minuta mes tensioneve

Ka nisur dhe përfunduar në 10 minuta seanca plenare e cila që në fillim është karakterizuar nga protesta e opozitës, e reflektuar me bilbila dhe pankarta.

Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga Garda.

Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi.

Siç u pa nga pamjet, deputetë të opozitës, janë ngritur në këmbë dhe me pakarta në duar, janë bërë ‘gardh’ para foltores.

Ndërkohë, dikush prej tyre i bie dhe bilbilit, ndërsa disa janë pajisur dhe me zhurmuese.

Mes tensioneve, kryeparlamentarja Lindita Nikolli u mundua të vijojë me rendin e ditës dhe votimet, ndërkohë që deputetët e opozitës qëndronin në ‘gardh’ para foltores.

Në pamjet e transmetuara, u duk se Salianji mban në dorë një flakadan. Ndërkohë deputetë të tjerë mbanin në dorë panakarta.

Në kalendar ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë. /ZOOM.AL/