Aplikacion
Kur koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” dorëzoi listat me kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, u zbulua se mes të përzgjedhurve Adriatik Lapaj kishte futur edhe babanë e tij.
Lapaj e ka vendosur të atin në listë të mbyllur në Qarkun e Beratit, duke shkaktuar reagime të forta në rrjet me këtë vendim, që u shoqërua edhe me kritika.
Adriatik Lapaj reagoi këtë të shtunë për herë të parë për këtë vendim, duke akuzuar se po hidhte baltë e padrejtë ndaj tij dhe partisë së tij.
“Pasi e renditëm veten në lista të mbyllura për të shkuar më parlament pa garë sipas modelit të politikës së vjetër, ku punojnë disa për disa, tashmë të kompleksuar totalisht nga vendimi ynë për të hyrë në garë me lista të hapura e për ta renditur të gjithë ne veten në garë me lista të hapura, kanë nisur baltën e gurët për të na thënë e për ta nxjerrë para popullit si njerëzit që po bëkan mëkat të madh që po garonkan në lista të hapura.
Të dashur miq, ne këto dy vite kemi luftuar që nga mbledhja e 21 mijë firmave, shkrimi i projektligjit dhe deri në gjykatë kushtetuese për të hapur ligjin për listat dhe për këtë do të luftojmë deri në fund, e ndaj jemi në këtë garë për të shkuar në parlament me lista të hapura. O shkojmë me garë, o kurrë mos shkofshim. Mos u manipuloni.
Merrni baltën dhe gurët e tyre, e me baltën e tyre të krijojmë humusin e nevojshëm për ta rritur këtë pemë të re të ndryshimit të atdheut, e me gurët e tyre të ndërtojmë urën për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar, e përmes votave nesër në parlament të mund të detyrojmë këtë sistem të keq të transformohet e të hapë garën që më të mirët të na udhëheqin në çdo fushë të jetës. Ju përshëndes”, tha Lapaj përmes një videomesazhi.