zoom

Lajme

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e portës

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e portës

Shkodra dhe mbarë futbolli shqiptar janë sot në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare Paulin Ndoja, një nga figurat më emblematike të klubit Vllaznia dhe një kontribuues i madh i sportit në vend.

I lindur më 19 dhjetor 1945 në Shkodër, Ndoja u bë pjesë e historisë së futbollit që në rininë e tij, duke fituar Kupën e Shqipërisë me Vllazninë në vitin 1965 dhe më pas duke qenë pjesë kyçe në suksesin e madh të titullit kampion dhe Kupës në sezonin 1971-72. Për shkak të biografisë së tij, iu ndërpre karriera vetëm një vit më pas, por dashuria për futbollin nuk e la kurrë.

Pas mbylljes së karrierës si lojtar, ai iu përkushtua punës me të rinjtë, duke shërbyer për vite me radhë si trajner dhe përgatitës i portierëve në Akademinë e Vllaznisë. Përkushtimi i tij ndikoi në rritjen e shumë talenteve dhe ruajtjen e traditës së pasur të klubit shkodran.

Në vitin 2019, kontributi i tij u nderua me turneun për moshat e reja “Kupa Selami Dani & Paulin Ndoja”, ku morën pjesë 41 ekipe nga Shkodra dhe Lezha – një dëshmi e gjallë e respektit të madh që gëzonte në komunitetin sportiv.

Fjalët e tij të njohura “Vllaznia është jeta ime” nuk ishin thjesht një deklaratë, por një realitet që përshkoi të gjithë jetën e tij. Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra humbet një ikonë të vërtetë, ndërsa futbolli shqiptar humbet një njeri që jetoi me pasion, përkushtim dhe krenari.

Postime të lidhura