zoom

Aktualitet

Fundoset pranë ishullit grek anija me 8 mijë ton sodë, ishte nisur nga Shqipëria! Shpëtohet ekuipazhi

Fundoset pranë ishullit grek anija me 8 mijë ton sodë, ishte nisur nga Shqipëria! Shpëtohet ekuipazhi

Një aksident detar është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në veri të ishullit Andros në Greqi, ku një anije mallrash me flamur të Vanuatu-t është përplasur me shkëmbinjtë dhe më pas është fundosur, raportojnë mediat greke.

Pas sinjalizimit të incidentit, në zonë ndërhynë menjëherë mjetet e rojes bregdetare greke dhe një helikopter i Forcave Ajrore, duke bërë të mundur evakuimin e ekuipazhit.

Të nëntë marinarët që ndodheshin në bord janë shpëtuar në kohë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të dhënave paraprake, anija kishte nisur udhëtimin nga Shqipëria me destinacion Ukrainën, duke transportuar rreth 8 mijë tonë sodë. Për arsye që ende nuk janë përcaktuar, mjeti detar u përplas me shkëmbinjtë në orët e para të mëngjesit të 6 majit.

Përplasja shkaktoi dëmtime të mëdha në strukturën e anijes, duke lejuar depërtimin e ujit dhe duke çuar në fundosjen e saj. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.