zoom

Ide & Blog

Figurat në listat e Ramës, kamerdaret që s’e mbajnë dot peshën e korrupsionit

“Kritike mbetet tema e korrupsionit. Ajo mbetet ende e keqja kryesore dhe e pengon Shqipërinë ne modernizimin e saj.” Këto ishin fjalët e pasuesit të kancelares Angela Merkel në CDU, Armin Laschet, në forumin e djeshëm “Perspektivat për një të ardhme evropiane të vendit”, në prani të Lulzim Bashës.

Sot, ishte Dhoma Amerikane e tregtisë që do të deklaronte se “asgjë nuk do jetë efektive nëse nuk do adresojmë mekanizmat e ndërtimit të besimit dhe sidomos luftën ndaj korrupsionit”.

Ndërkombëtarët po flasin qartë dhe fort. Po ngrenë zërin në forume partiake e aktivitete jo-politike. Po e thonë hapur se blloqet si ai i Ilir Metës në vitin 2010 vijojnë të mbeten busulla e punës në xhepat e zyrtarëve të çdo niveli.

E thënë më troç, kjo qeveri, e korruptuar ose jo deri në palcë, është e paaftë për ta adresuar këtë problem.

Dyshimet për afera të rënda korruptive e shoqëruan qeverinë Rama që në mandatin e parë. Por në 2013 – 2017 valvula shkarkuese ishte LSI. Në tavolina të ngushta, Edi Rama përpiqej t’ua mbushte mendjen miqve të tij skeptikë se problemi ishte partia e Ilir Metës, se ajo ishte e babëzitur për të përfituar në çdo punësim, tender, projekt.

Kjo tezë e tij u shoqërua me disa arrestime në administratë, thuajse të gjitha ndaj eksponentëve të LSI.

Kur drejtësia nisi të ngrejë akua ndaj zyrtarëve të PS, hetues eg jyqtaret e gjetën veten përballë një sulmi të paimagjinueshëm, të koordinuar në zyrat qeveritare.

Edi Rama tentoi ta mbante gjatë gjithë mandatit të parë fokusin tek kjo ide, që problemin me korrupsionin qeveria e tij e kishte nga LSI. Të njëjtën tezë, sipas njerëzve pranë tij, ai e kishte përdorur si justifikim edhe me ndërkombëtarët.

Por mandati i dytë e gjeti me tepsinë të gjithën për vete. As do të ndante gjë me LSI-në, por as do të mund ta përdore më si shkarkues.

Çdo aferë korruptive gjatë këtij mandati ka rënduar drejpërsëdrejti qeverinë e tij. Teza që Rama po përdor për “përmirësimin e vetvetes”, është llogorja e vetme që i ka mbetur në fushën e propagandës.

Por a do ta ketë më shansin Edi Rama që të bindë shqiptarët e të huajt se i duhet edhe një mandat për ta luftuar krimin e korrupsionin, se ai do të ndahet nga zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive dhe do t’i ndëshkojë ata, se ai nuk do të ulet më për të ndarë punët publike me persona me precedentë penalë, se vërtet që fajin s’ia ka më Saliu apo Ilir, por se korrupsioni do kohë që të luftohet?

Ndërkombëtarët e kanë humbur durimin. E tregojnë këtë qëndrimet e tyre të fundit.

Raporti i Departamentit të Shtetit nxinte me kritika për pastrimin e parave në Shqipëri.

Kryeministri Rama është i vetëdijshëm se korrupsioni e ka atrofizuar qeverinë e tij. Jo më kot ai vendosi në listat e kandidatëve për deputetë emra të papërlyer në afera, njerëz me energji siç thotë ai, që shpreson ta nxjerrin edhe njëherë në breg anijen e PS.

Ata po i shërbejnë atij si kamerdare për ministrat, deputetët e zyrtarët me të cilët ai ka qeverisur për 8 vjet, por pesha e përgjegjësisë së tyre është më e rëndë se kapaciteti pluskues i mjeteve që kanë zgjedhur për shpëtim. /Zoom.al