zoom

Bota

Fauci: Koronavirusi ka të ngjarë të mos zhduket kurrë

Koronavirusi ka gjasa të mos zhduket kurrë. Këtë deklaratë e bëri eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë mbi pandeminë.

“Do të jetë shumë e vështirë, të paktën në të ardhmen e afërt dhe ndoshta përgjithmonë që të eliminohet ky virus shumë i transmetueshëm,” tha ai.

Ai tha se “pjesa më e madhe e botës” është ende “në disa drejtime në fazën e pandemisë”, por “po sheh tani një rënie të ritmit” të rasteve të reja.

Fauci bëri një perspektivë historike dhe deklaroi se ka patur vetëm një sëmundje njerëzore që është zhdukur dhe kjo ishte lija. Por teksa duket se pandemia do të vazhdojë të bashkëjetojë me njerëzimin ende mbetet mister se si  ai u shfaq. Pas  më shumë se një vit e gjysmë që kur rastet e para u paraqitën në qytetin kinez të Whanit ende nuk ka një përgjigje nëse virusi u bart nga kafshët te njerëzit apo nëse ai u përhap nga një aksident laboratorik.

Së fundmi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se puna e një grupi të ri hulumtues mund të jetë mundësia e fundit për të gjetur origjinën e COVID-19. OBSH-ja ka emëruar 26 ekspertë që do t’i bashkohen Grupit Këshillimor Shkencor mbi Origjinat e Patogjenëve të Ri .

Në shkurt, një ekip i OBSH -së i ngarkuar me hetimin e origjinës së COVID-19 shkoi në Kinë dhe arriti në përfundimin se virusi ndoshta kishte ardhur nga lakuriqët e natës, por se duhej më shumë hulumtime për ta vërtetuar këtë.