Aplikacion
Përplasja mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës ka hyrë në një fazë të re tensioni, pasi Kryemadhi i është kundërpërgjigjur deklaratave të forta të Metës, i cili e quajti “Zeqine e SPAK-ut”.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi ka publikuar vizën e saj për në SHBA, duke mohuar akuzat se ka udhëtuar atje me ndihmën e Prokurorisë së Posaçme.
“Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër, përveç ditës që drejtësia ka vendosur të kem detyrim paraqitje pranë SPAK”, shkruan Kryemadhi.
Ajo e shoqëron reagimin me një dozë ironie, duke e quajtur Metën “fans i Zeqines”, referencë ndaj Zegjine Çaushit, dhe duke thumbuar gjithashtu zëdhënësin e Metës, Tedi Blushi, për të cilin tha se është “fans i garderobës” së saj.
Ajo shton se nuk ka nevojë të marrë leje nga askush për të udhëtuar, veçanërisht jo nga “dezinformues tradicionalë”, siç i cilëson akuzuesit e saj.
Përplasja mes tyre nisi pasi Kryemadhi, kur doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, u shpreh se “Nuk më intereson se çfarë thotë Ilir Meta”.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi më pas dhe e quajti deputeten “Zeqine”, ku më konkretisht është shprehur se “Kur të komandon halli, bëhesh “Zëqine” e SPAK-ut”.
Reagimi i Kryemadhit:
Një sqarim i vogël në këtë ditë të nxehtë për të ftohur mendje të nxehura nga dezinformues tradicionalë.
Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër, përveç ditës që drejtësia ka vendosur të kem “detyrim paraqitje” pranë SPAK. Si e shikoni viza amerikane është me disa hyrje dalje dhe kjo është një gjë e vërtetueshme nga foto ose nga zyra e shtypit në ambasadën përkatëse.
Nuk kam nevojë të marr leje askund madje as fansit të Zeqinesë e as fansit të garderobës time Tedi Blushit për të udhëtuar drejt çdo vendi ku kam ftesa pune./ Zoom.al
