zoom

Bota

Europa në këmbë kundër vendimit të Trump për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse

Europa në këmbë kundër vendimit të Trump për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse

Kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi administratën e presidentit amerikan Donald Trump për vendimin për të lehtësuar përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, një hap që synon uljen e çmimeve të energjisë që janë rritur pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ndërsa presidenti ukrainas, Zelensky, e quajti një goditje të serioze për Ukrainën. 

ANDENES, Norvegji — Kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi të premten administratën Trump për vendimin për të hequr përkohësisht disa sanksione ndaj naftës ruse, me qëllim uljen e çmimeve të energjisë që janë rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara hoqën përkohësisht disa nga sanksionet ndaj Rusisë të enjten në mbrëmje, duke lejuar shitjen dhe transportimin e naftës ruse që kishte mbetur e bllokuar në det.

“Ne mendojmë se kjo është e gabuar,” tha Merz gjatë një konference për shtyp përkrah kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre.

“Aktualisht kemi një problem çmimi, por jo një problem furnizimi. Në këtë drejtim do të doja të dija se cilët faktorë të tjerë e shtynë qeverinë amerikane të marrë këtë vendim.”

Merz tha se vendimi i administratës amerikane e kishte zënë në befasi të premten në mëngjes dhe kishte shuar shpresat se Uashingtoni do të përmbahej nga një hap i tillë, pasi anëtarët e tjerë të G7 kishin kërkuar fuqishëm që Trump të mos lehtësonte presionin ndaj Moskës gjatë një videokonference të përbashkët të zhvilluar të mërkurën.

“Ne duam të sigurohemi që Rusia të mos e shfrytëzojë luftën në Iran për të dobësuar Ukrainën,” tha Merz.

“Gjithashtu nuk do të lejojmë që Moska të testojë NATO-n në krahun e saj lindor apo këtu në veri.”

Merz theksoi se Gjermania, së bashku me partnerët e saj të G7 dhe me Izraelin, po punon për t’i dhënë fund luftës. Ai gjithashtu përsëriti shqetësimin e tij se SHBA-ja dhe Izraeli mund të mos kenë një strategji të qartë për përfundimin e konfliktit.

Duke iu referuar rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, Merz përmendi edhe vendimin për të liruar rezervat ndërkombëtare të naftës gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe nga Gjermania, gjë që sipas tij “do të ndihmojë deri diku në moderimin e çmimeve të energjisë.”

Zelensky: Goditje serioze për Ukrainën

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi se ky veprim do të ishte një “goditje serioze” për vendin e tij dhe një “goditje reputacioni” për botën.

“Si mund të hiqen sanksionet ndaj Rusisë teksa ajo është një agresore? Do të vendoste një precedent që të tjerët mund ta ndiqnin, dhe jo në një mënyrë pozitive”, është shprehur ai.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka njoftuar se do të heq sanksionet ndaj naftës ruse pas rritjes së çmimit ndërsa Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore, dhe sulmon anijet.

Ky veprim do të lejojë shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës ruse të ngarkuara tashmë në anije deri më 11 prill. /Zoom.al

Postime të lidhura