Aplikacion
Aktori i njohur dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai ka reaguar publikisht lidhur me lajmet që qarkulluan në disa portale për ndarjen e tij nga bashkëshortja.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Isai konfirmoi se martesa ka përfunduar që prej dy vitesh, ndërsa procedurat ligjore janë finalizuar në prill të vitit 2024.
“Po! Martesa ime prej dy vjetësh ka përfunduar,” shkruan ai, duke theksuar se vendimi është marrë me mirëkuptim dhe në përputhje me parime të përbashkëta.
Isai shprehu keqardhjen për publikimin e dokumenteve gjyqësore në media, duke e konsideruar të panevojshme dhe të pajustifikuar ekspozimin e jetës personale, sidomos kur në mes janë dy vajzat e tij të mitura.
“Keqardhje për publikime vendime gjykatash të cilat s’kanë asnjë interes publik, e asnjë arsye për t’u publikuar,” shprehet Isai, duke shtuar se përkushtimi ndaj fëmijëve të tij, Ajër dhe E’dua, është dhe mbetet detyra e tij më e bukur.
Në reagimin e tij, Erion Isai thekson se vijon të jetë i angazhuar me pasion në detyrën publike dhe në skenën artistike, duke mbajtur fokusin te puna dhe te përkushtimi ndaj qytetarëve.
“Përgjegjësitë e mia publike i ndjej dhe ushtroj çdo ditë për të fituar zemrën e kujtdo! Uroj që çdo ditë t’ia dal!”
Isai dhe Ajlin Petrela ishin martuar në vitin 2011 dhe bashkë kanë edhe dy fëmijë./ Zoom.al