zoom

Lajme

Erion Braçe nuk mban më: Një pakicë rrethi e formuar rrotull kryetarit frenon ndryshimin. Ai nuk di asgjë nga tetori i 2005-sës, por ka të njëjtat vese

Erion Braçe nuk mban më: Një pakicë rrethi e formuar rrotull kryetarit frenon ndryshimin. Ai nuk di asgjë nga tetori i 2005-sës, por ka të njëjtat vese

Sa më shumë i afrohej plakja Enver Hoxhës, aq më shumë Partia Komuniste ziente brenda saj. Disa nga halli se çfarë të ndodhte me “fatet e partisë dhe kombit”pas ikjes së “të pavdekshit”, dikush nga ethet për t’i zënë karrigen apo për t’u çliruar njëherë e mirë nga rreziku që përbënte humori i diktatorit. 


Partia Socialiste, pasuese e saj, ka ditur gjithnjë të ripërsërisë historinë. Ajo po e sheh veten në të njëjtën rrugë në të cilën koha e kishte çuar përpara se të ndryshonte emrin. Edi Rama sapo mbushi 20 vjet në drejtimin e saj, duke u bërë lideri më jetëgjatë. Siç duken gjasat, do të qëndrojë të paktën një çerek shekulli në krye. 

Por ashtu si Partinë Komuniste, edhe në PS-në e Ramës individë e grupe të caktuara kanë nisur të pyesin se çfarë do të bëhet me partinë e tyre? Do të vazhdojnë të mbështesin Edi Ramën që po e çon partinë “nga fitorja në fitore” apo të mendojnë se si do të jetë fati partisë pas ikjes së tij. 

Erion Braçe, një socialist rrace, ndër të paktët e llojit të tij brenda PS-së, bëri sot një prej analizave më të kthellta politike për gjendjen në të cilën ndodhet partia e Ramës.

Një status që përkutoj 20 -vjetorin e zgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS, në tetor të vitit 2005 pas dorëheqjes së Fatos Nanos, ngjan me një pasqyrë për partinë që sot duket se nuk e njeh më veten edhe pse ka fituar çdo garë zgjedhore pas vitit 2013. 

Braçe e rikthen leximin e historisë në verën e 2005-s, në ditët e para pas humbjes së zgjedhjeve dhe dorëheqjes së Fatos Nanos. Ai përshkruan me detaje kongresin, tensionet e brendshme, përplasjet mes brezave, por mbi të gjitha momentin kur Edi Rama u ngrit si simbol i reformimit të PS-së me një platformë të thjeshtë,“Ndryshojmë për të fituar.”

Duke treguar se ajo ishte koha kur Partia Socialiste kërkonte frymë të re, hapje, dhe guxim për t’u përballur me humbjen, Braçe e sjell këtë si momentin kur një rreth konservator që dominonte në partinë e Nanos duhej çarë, në mënyrë që ajo të mos mbetej peng i vetvetes.

“Me 26 GUSHT 2005, ne ZERI I POPULLIT, mbaroi java me shume perpjekje e perballe tyre dilema, te cilat duket se mbaruan kur i thashe: PS FITOHET, NUK DHUROHET, VENDOS! 50.000 kopje me 26 dhe 30.000 kopje te tjera ne 27 GUSHT-gazeta me e shitur qysh prej arrestimit te Fatos Nanos, deshmuan se socialistet nen shok donin ndryshim te forte e te thelle dhe perpine PLATFORMEN E NDRYSHIMIT! Nje pakice-RRETHI qe krijohet gjithnje rrotull cdo kryetari dhe frenon ndryshimin, nje Platforme qe socialistet e perpine se ishin ata ne thelb, e relativizuan si mendim, e konkuruan me “emerim” e “vazhdim” – shkruan Braçe.

Njëzet vite më vonë, ai sugjeron me finesë se një rreth i ri i ngjashëm me atë të 2005-ës është formuar. 

“E shkuara e 20 viteve edhe pse rrethi i sotem NUK DI ASGJE NGA TETORI I 2005ses por ka te njejtat vese, eshte aty si MESIM-pasqyre ku gjithkush duhet te shohe veten cdo dite te ketyre kater viteve qe vijne e qe jane jetike per PARTINE SOCIALISTE; OSE NDRYSHOJME NE E FITON PS, OSE FITOJME NE E NUK ESHTE ME PS” –vijon ai. 

Edhe pse kujdeset të mos e sfidojë kryetarin Edi Rama, Braçe nuk ngurron t’i drejtojë edhe atij një thirrje për të riparë veten, duke i rikujtuar se ai po ndërton një rreth të ri po aq të mbyllur sa rrethi që ai vetë e shembi dikur për të ndryshuar një parti që sapo kishte humbur në zgjedhjet e vitit 2005. 

“OSE NDRYSHOJME NE E FITON PS, OSE FITOJME NE E NUK ESHTE ME PS” – e mbyll ai postimin e tij, një frazë me të cilën tregon se nuk mund të mbetesh forcë e ndryshimit kur je bërë vetë sistemi, ndonëse mund të fitosh zgjedhjet. 

Si një socialist safi, Erion Braçe u vendosi sot përballë “shokëve të partisë” pasqyrën morale ku duhet të shohin veten, duke u kujtuar se duhet të rikthejnë në parti debatin që është zëvendësuar me politikën e faktit të kryer të liderit. Ai u kërkon të ndryshojnë, jo nga frika se mund të humbasin zgjedhjet, por nga rreziku që  sjell humbja e reflektimit. 

Sot, sipas Braçes, socialistët gjenden përballë të njëjtës sistuatë të 20 viteve më parë, ta çajnë rrethin e formuar rrotull kryetarit për të sjellë ndryshimin, apo të mbeten brenda tij. /Zoom.al

Postime të lidhura