zoom

Aktualitet

EMRAT/ Kush janë trafikantët e arrestuar nga policia, mes tyre edhe nipi i “baronit të drogës”

Gjashtë trafikantë, katër shqiptarë dhe dy ukrainas, kanë rënë në pranga të policisë nga një operacion ndërkombëtar anti-drogë i zhvilluar një natë më parë në qarkun e Lezhës, në det të hapur.

Gjatë operacionit të koduar “Flakë në det”, policia prangosi shtetasit Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef policie; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, o cili është nipi i Gëzim Çelës i njohur si “baroni i kokainës”, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2014 pasi forcat speciale gjetën në vilën e tij 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis dhe një laborator lëndësh narkotike.

Në pranga kanë rënë edhe Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu u arrestuan edhe dy shtetas nga Ukrania Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç.

Banda e drogës u godit në momentin kur po shkëmbenin lëndën narkotike në mes të Detit Adriatik.

Dy ukrainasit të cilët udhëtonin me velierën me drogë, ishin nisur nga Mali i Zi. Ata i vunë flakën velierës dhe tentuan të ikin me një varkë shpëtimi, por u arrestuan. Në det policia gjeti 23 kg kanabis pranë vendit ku u fundos veliera e djegur.