zoom

Bota

EMA: Nuk e kemi urgjente dozën e tretë të vaksinës, por këto kategori mund të kenë nevojë

Nuk ka një nevojë urgjente për doza të treta vaksinash anti-Covid. Këtë deklaroi Agjencia Europiane e Barnave në mbledhjen e ditës së sotme, mes shqetësimit nga rritja e rasteve me të infektuar me variantin Delta të virusit.

Sipas EMA, nuk është e nevojshme dhe urgjente që të ketë injeksione përforcuese për personat e vaksinuar me dy doza mes publikut të gjerë.

Por shtoi se dozat e treta duhet të konsiderohen për personat me sistem imunitar të dobësuar.

Duke iu referuar një raporti teknik të publikuar nga Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ekspertët e EMA thanë:

Dëshmitë mbi efektivitetin e vaksinës dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes tregojnë se të gjitha vaksinat e autorizuara në BE/EEA aktualisht janë shumë mbrojtëse kundër shtrimit në spital nga COVID-19, sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve”.

Në vend të kësaj, shtojnë ekspertët, theksi duhet të vendoset në shpejtimin e vaksinimeve pasi një në tre të rritur në BE/EEA mbi 18 vjeç është ende i pavaksinuar plotësisht, pra me dy doza.

Vaksinat me dozë të tretë gjithashtu mund t’u ofrohen personave të moshuar, atyre që jetojnë në azile dhe personave me sëmundje të rënda dhe kronike. / Bloomberg