Aplikacion
Përplasja mes Elon Musk dhe presidentit Donald Trump është bërë tashmë publike, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në marrëdhënien mes tyre.
Manjati i teknologjisë ka ngritur së fundmi idenë e krijimit të një partie të re politike në SHBA, duke pyetur ndjekësit e tij në platformën X: “A është koha për të krijuar një parti të re politike në SHBA, e cila të përfaqësojë realisht 80% të popullsisë?” Më shumë se 400 mijë vetë morën pjesë në sondazh dhe 83.4% e tyre u shprehën pro.
Lëvizjet e Musk nxisin spekulime nëse qëllimi i tij ka qenë gjithnjë krijimi i një alternative politike ndaj partive tradicionale, duke e vendosur atë në një rol potencialisht transformues në politikën amerikane.
Presidenti Donald Trump nga ana tjetër komentoi situatën aktuale me Elon Musk, duke nënvizuar se nuk po mendon për të.
“As nuk po mendoj për Elon. Ai ka një problem. I shkreti ka një problem.” Kjo vjen pas një dite të mbushur me shkëmbime akuzash mes tyre në rrjetet sociale.
Musk e braktisi javën e kaluar postin simbolik në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), dhe nuk vonoi të kritikonte projektligjin e buxhetit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke e quajtur “të tepruar me shpenzimet”. Ai akuzoi republikanët për mbështetjen e tij, duke deklaruar: “Më vjen keq, por thjesht nuk mund ta duroj më.”/ Zoom.al