zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i Ergys Dashit në Ekuador, nga vrasës kolumbian

Ekzekutimi i 34-vjçarit shqiptar, Ergys Dashi, është kryer nga vrasës tipik mafioz, sipas të dhënave që vijnë nga mediat ekuadoriane.

Ekspertët e hetimit vendas kanë siguruar dëshminë e rojave të restorantit në të cilin darkonte shënjestra e dy personave që kanë mbërritur në derë si mysafir që donin t’i dhuronin lule dikujt.

Ata kanë treguar se dy personat që më pas kryen vrasjen ishin folës shumë të mirë të spanjishtes, çka ka krijuar idenë që bëhet fjalë për vrasës nga vendet latine.

Po ashtu rojet kanë dëshmuar se edhe nga pamja vizive ata ngjanin me kolumbianë, ndonëse hetuesit kanë dyshime që vrasësit të kenë qenë me maskë fytyre.

Rojet kanë biseduar me ta në momentin kur personi që mbante lulet në dorë kërkoi të hynte brenda me çdo kusht, ndërsa rojet i kanë kërkuar pasaportën e vaksinimit.

Ai nuk e ka pasur këtë mjet, e për pasojë, personi shoqërues iu ka thënë se ai do të qëndronte aty me ta ndërsa duhej ta lejonin shokun e tij të çonte lulet tek tavolina në fund të lokalit sepse edhe ai do të dilte menjëherë jashtë.

Ky moment i dialogut mes vrasësve dhe rojeve ka krijuar idenë se bëhet fjalë për vrasës spanjishtfolës, ndonëse mënyra se si dhuruesi i luleve ka nxjerrë armën nga tufa e luleve dhe ka qëlluar Dashin është mënyrë e përdorur në ekzekutim nga shqiptarët prej më shumë se dy dekadash.

DYSHIMET

Autoritetet policore të Ekuadorit kanë kërkuar ndihmë për të identifikuar vrasësit në bazë të fotove që kanë mundur të sigurojnë nga kamerat e restorantit.

Po ashtu, është kërkuar informacion edhe në lidhje me të dhëna konkrete për të shkuar te shkaqet e vrasjes që tronditi gjithë vendin.

Të dhënat më të fundit që kanë mbledhur dhe po studiojnë hetuesit tregojnë se Dashi është ekzekutuar për shkak të një dyshimi për vjedhjen e një sasie të madhe lënde narkotike.

Kjo vjedhje, sipas mediave vendase, dyshohet se i ka ndodhur një grupi të fuqishëm të trafikut të kokainës me origjinë nga Kolumbia dhe që veprojnë në tregun e qytetit-port.

Dyshimet e para flasin për një sasi prej 5 mijë pakosh me kokainë por ende grupi i hetimit nuk ka asnjë fakt që e provon këtë akt të kryer nga ana e viktimës!