Aplikacion
Propaganda e më shumë se një dekade e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se do të sjellë linjën ajrore prestigjioze “Qatar Airways” në Shqipëri duket se ka marrë një kthesë të pakëndshme. Premtimi i bërë për herë të parë rreth 11 vite më parë dhe i përsëritur disa herë gjatë viteve, rrezikon të mbetet i parealizuar pas një haberi nga kompania shtetërore arabe.
“Qatar Airways” shkarkoi kreun e saj ekzekutiv, Badr Mohammed Al-Meer, krejt papritur dhe pa asnjë shpjegim publik. Në vend të tij u emërua Hamad al-Khater, një figurë e re që sapo ka marrë frenat e një prej kompanive ajrore më prestigjioze në botë.
Al-Meer ishte personi me të cilin kryeministri Rama zhvilloi bisedimet e fundit për mundësinë që “Qatar Airways” të nisë fluturimet drejt Shqipërisë. Largimi i tij e vendos procesin e negociatave në një pikë zero, duke krijuar nevojën për të nisur kontakte të reja me drejtuesin e sapoemëruar të kompanisë. Tani, me al-Khater në krye, Ramës i duhet të hapë një shteg të ri, që askush nuk garanton se nuk do të mbyllet sërish.
Ardhja e “Qatar Airways” në Shqipëri, deri më tani duket si një oaz në dunat e nxehta të Dohas dhe sa më shumë që i afrohemi aq më shumë kuptojmë se ishte vetëm një mirazh edhe pse nuk është çudi që Rama të na e shesë sërish si realitet. /Zoom.al