zoom

Bota

E rëndë/ Babai e harroi në makinë, 2-vjeçarja humb jetën për shkak të nxehtësisë

E rëndë/ Babai e harroi në makinë, 2-vjeçarja humb jetën për shkak të nxehtësisë

Një vajzë dyvjeçare ndërroi jetë në Spanjë pasi qëndroi për disa orë e mbyllur në një automjet nën temperatura ekstreme. Ngjarja e rëndë ndodhi në Brión, në rajonin e Galicisë. Sipas raportimeve të mediave vendase, vajza pësoi arrest kardiak të shkaktuar nga temperaturat e larta brenda makinës. Dyshohet se babai i saj, gjatë rrugës në mëngjes, u shpërqendrua nga një telefonatë dhe harroi ta linte të voglën në çerdhe.

Mësohet se ai kishte dërguar fillimisht fëmijën tjetër në shkollë dhe më pas ishte nisur drejt punës, pa kuptuar se vajza kishte mbetur në sediljen e pasme të automjetit. Familja e kuptoi mungesën e saj vetëm disa orë më vonë, kur nëna shkoi në çerdhe për ta marrë dhe u informua se e vogla nuk ishte paraqitur fare.

Menjëherë u njoftuan shërbimet e emergjencës, por përpjekjet për ta mbajtur në jetë rezultuan të pasuksesshme. Autoritetet spanjolle kanë hapur hetime për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa familja po merr ndihmë psikologjike pas tragjedisë.

Ngjarja vjen në një moment kur Spanja po përballet me temperatura të pazakonta për muajin maj. Shërbimi meteorologjik atje ka paralajmëruar se në disa zona temperaturat mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius./ Zoom.al

Postime të lidhura