Aplikacion
Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi pasi ish-kryeministri Sali Berisha e quajti vëllain siamez të Taulant Ballës.
Sipas Berishës, Basha dhe Balla janë mpleksur me njëri-tjetrin në disa çështje.
Por Basha e akuzoi Berishën se po hedh shashka kundër tij sepse është vënë në shërbim të Edi Ramës për shkak të dosjeve që ka me drejtësinë.
Reagimi i plotë i Bashës:
Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin. Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë. Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, përsa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake.Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.