zoom

Aktualitet

E PLOTË/ Televizioni italian tallet me lokalin “Meloni” të Gjergj Lucës, mikut të Edi Ramës

Televizioni italian, La7 transmetoi një raportazh mbi qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin e Gjadës. Shumë shpenzime, por pak punë, shtyrje të vazhdueshme të afatit të hapjes (nga 20 maji mund të hapet në nëntor), kapacitet të paktën 2 herë më pak sesa pritej; “nga 3 mijë, pak më shumë se 1 mijë mund të akomodohen”, thuhet në reportazh.

Por ajo që bie në sy dhe që ka marrë më shumë hapësirë e vëmendje në emisionin “In Altre Parole – Me fjalë të tjera”, është lokali i Gjergj Lucës, mikut të kryeministrit Edi Rama, që ka hapur një rrjet të madh restorantesh e fabrikash të përpunimit të peshkut përmes disa kontratave të diskutueshme qeveritare, duke përfituar prona shtetërore.

Thelbi është “Trattoria Meloni – Taverna Meloni” që Luca ka hapur në Shëngjin. Një lloj kulti individi që edhe diktatori sovjet Josif Stalin, do ta kishte zili.
Muret e lokalit janë të mbushura plot me fotot e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, që nga fëmijëria e saj e deri tek jeta e saj si shefe e qeverisë.

Ironia shoqëron çdo përshkrim të gazetares Giovanna Botteri. Zoom.al po e sjell të plotë atë.

Giovanna Botteri: Nuk dihet nëse qendra do të hapet. Por Trattoria Meloni, dedikur Giogria Melonit, është hapur. Dhe shiko, sa hyn, për të kuptuar është Giorgia Meloni (tregon një portret të kryeministres italiane që mban dy pjepra – (meloni në italisht). Ndërsa këtu është një lloj galerie, që kujton të gjithë momentet e Giorgia Melonit. Por kujdes, kujdes! Këtu është Giorgia Meloni fëmijë, përpara çerdhes së saj, këtu Giorgia Meloni më e re dhe këtu Giorgia Meloni adoleshente. Pastaj, herë pas here, rritja e saj politike për të ardhur deri te Giorgia Meloni kryeministre, që është kthyer edhe ne bionde në këtë kohë. Dhe këtu ka një seri portretesh ekskluzivë të bërë nga ajo vetë; version brune më e re, version bionde e menduar dhe këtu… natyrisht përqafimi me Edi Ramën dhe një trëndafil i kuq që solli edhe qendrën për emigrantët.
Këto janë të tjerë portrete të Giorgia Melonit, këtu është pak e menduar, këtu është pak verore, thënë ndryshe një galeri e madhe arti dedikuar Melonit.

Drejtuesi i emisionit, Massimo Gramellini: Desha të të pyes se cila Giorgia Meloni është vendosur në banjo, sepse s’e dimë çfarë ka në banjot e tavernës, sepse shohim që ka…

Giovanna Botteri: Banjot e tavernës janë të sinkronizuar me…

Massimo Gramellini: Edhe në kuzhinë… Kulti i individit nuk është asgjë para kësaj. Stalinit do t’i vinte zili.

Giovanna Botteri: Sigurisht. Por që kur kemi ardhur këtu na pyesin: kur do na jepni Giorgia Meloni-n t’u japim Edi Ramën. Por nuk dimë si t’u përgjigjemi.

I ftuari në studio: Paska shumë humor në atë zonë. Por kush është pronari i tavernës?

Giovanna Botteri: Është humor anglez.

Massimo Gramellini: Desha të të pyes, Giovanna, a ka edhe një menu me bazë Melonin? Besoj të porosisësh proshutë me pjepër (meloni) ta japin besoj. Më fal për batutën, por u vura në nivelin ngjarjes. Por si është menuja, çfarë hahet.

Giovanna Botteri: Menuja është e gjitha peshk, sepse pronari i këtij restoranti, që është Gjergj Luca, që është një mik i ngushtë i Ramës, është eksportuesi më i madh i peshkut këtu në Shqipëri. Kështu që s’ka “prosciutto e melone”, por vetëm peshk. Nuk ka ende pjata të dedikuara kryeministres sonë, por thonë se po mendojnë për të bërë diçka kreative me peshkun. Tani natyrisht hapi tjetër është hapja e qendrës së emigrantëve, por që këtu thonë se edhe mund të mos hapet kurrë.

Massimo Gramellini: Si puna e urës në ngushticën e Mesinës.

I ftuari: E rëndësishme është taverna.

Massimo Gramellini: Por ata që shkojnë për darkë aty, çfarë thonë, pasi gjenden mes këtyre 200 portreteve.

Giovanna Botteri: Këtu vijnë njerëz, sepse është restorant i njohur, por nuk duan që as t’i filmojmë. Por ka nga ata që mendojnë se restoranti është i Giorgia Melonit, madje, duke parë gjithë këto portrete të saj.

Massimo Gramellini: Pra, klientët mund të zgjedhin Melonin që duan. Mund të thonë: dua Melonin që qesh apo Melonin që është e nxehur me dikë.

Giovanna Botteri: Sigurisht! Madje ka një luftë të madhe për të zënë tavolinën me foton e Melonit kur ka qenë e re.

Massimo Gramellini: Atë kur ka qenë në çerdhe do i ftuari.

Giovanna Botteri: Të shohim çfarë mund të bëjmë, nëse ka prenotime për muajt e ardhshëm, ashtu si hapja e qendrës së emigrantëve./ Zoom.al