Aplikacion
“Në qytetin e Lezhës operon kompania I.N.C.A, me NIPT K77620501D, me zotërues të shoqërisë Alban Zusin dhe administrator Enio Zusin, që merret me përpunimin e peshkut dhe mbetjeve shtazore.
Sipas Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, kompania ka disa linja prodhimi: përpunimin e zorrëve, riciklimin e mbetjeve shtazore dhe prodhimin e ushqimit për kafshë.
Përpunimi i këtyre mbetjeve lëshon shkarkime të lëngshme dhe atmosferike me erë të rëndë, që ndotin ambjentin dhe jua përkeqësojnë cilësinë e jetës të gjithë banorëve të qytetit Lezhë e në veçanti banorëve të zonës ku është vendosur fabrika.
Përmes erërave të forta dhe kanalit (ku kompania shkarkon mbetjet e lëngshme) që lidhet me lumin Drin, era shpërndahet në të gjithë qytetin”, shkruhet në letrën e qytetarëve të Lezhës.
Banorët e kanë kundërshtuar vendosjen e këtij impianti që në momentin e parë, në vitin 2019. Kompania ka patur edhe më herët në zonë një impiant për përpunimin e zorrëve, të cilin banorët e kanë toleruar. Situata është bërë e padurueshme në vitin 2019, kur kompania ka vendosur impiantin e përpunimit të mbetjeve shtazore.
Banorët i kanë ndjekur të gjitha rrugët e mundshme, nga informalet te zyrtaret.
Fillimisht kanë folur me pronarin e kompanisë, i cili ju ka premtuar se do ta limitojë ndotjen, por ka vazhduar aktivitetin si zakonisht. Më pas janë ankuar te Agjensia Rajonale e Mjedisit Lezhë. E kanë takuar drejtorin e Agjensisë, z. Bardhok Frroku, i cili pas vizitës në rrethinat afër fabrikës, ju ka premtuar se do bëjë diçka, por pastaj nuk ka komunikuar më me ta. Këto takime kanë qenë informale dhe nuk ka procesverbale, por këto pretendime mund ta konfirmohen nga një grup banorësh që ka qenë prezent.
Banorët kanë nisur gjithashtu një proces gjyqësor kundër fabrikës. Gjatë këtij procesi, IKMT ka lëshuar një urdhër sekuestroje dhe gjobë për këtë kompani, por kjo është anulluar më pas. Këto dokumente i keni në dosje. Gjyqi është pushuar pasi banorët nuk kanë arritur të mbledhin shumën e nevojshme për të kryer analizat.
Kreu i kompanise, Alban Zusi
Që nga shtatori, një grup më i madh qytetarësh kanë nisur një përpjekje të re. Kemi nisur një peticion që deri tani numëron 1,473 firma fizike dhe 201 firma online (peticioni i skanuar në dosje dhe linku i peticionit online në fund të emailit). Jo të gjitha firmat janë të verifikuara me ID.
Lidhur me këtë aktivistja Nertila Haxhia ka njoftuar se më 12 tetor ata do të ngrihen në një protestë kundër fabrikës se Zusit dhe kundër institucioneve që nuk kanë marrë asnjë masë. /Zoom.al