zoom

Aktualitet

“E lashë te karburanti në Vorë, do takonte…”! Ndihmoi Martinajn të arratisej, zbërthehet Jeton Lami

Janë mbyllur nga Prokuroria e Kurbinit, hetimet për ish-policin Jeton Lami, i cili u arrestua, pasi u zbulua nga kamerat e sigurisë se ndihmoi të arratisej të shumëkërkuarin e drejtësisë, Ervis Martinajn.

Pak ditë më parë, prokurori Bardhyl Shehu e ka pyetur atë në cilësinë e të pandehurit dhe i ka kërkuar të japë shpjegime në lidhje me rastin.

Për herë të parë, Jeton Lami ka thyer heshtjen duke dhënë disa shpjegime të detajuara për sa i përket shoqërimit të Ervis Martinajt, por ka refuzuar të ketë dijeni për zhdukjen e tij.

Ervis Martinajn e kam njohur 10 vite përpara. Me atë nuk kam pasur asnjë miqësi apo lidhje të ngushtë. Megjithatë tre ditë para se ta shoqëroja në Durrës, e kam takuar rastësisht tek një ambient te Zogu i Zi. Më ka kërkuar ta shoqëroja. E kam shoqëruar në drejtim të Durrësit dhe e kam dërguar në një hotel ku u takua me një mikeshën e tij.

Të nesërmen kam shkuar sërish në Durrës, e kam marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i kam lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës.

Aty sipas informacioneve që kisha Ervis Martinaj do të bënte disa takime. Në atë moment jam shkëputur me të dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të”, ka deklaruar për prokurorin, Jeton Lami.

Ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjen e Martinajt dhe se nuk ka asnjë informacion për të dhënë.

Në përfundim të 6 muajve Prokuroria ka vendosur të ngrejë akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj Lamit, duke arsyetuar se ai kishte detyrë funksionale të arrestonte personat e shumëkërkuar, por në vend të kësaj ishte shndërruar në “truprojën” e Martinajt, duke i garantuar lëvizjen e lirë pa rënë në radarët e policisë.

Tashmë sipas ligjit është duke u pritur afati 10-ditor që avokatët e Jeton Lamit të kthejnë pretendimet e tyre sikurse e parashikon procedura dhe më pas dosja penale pritet t’i dorëzohet gjykatës për gjykim paraprak.

Me shumë gjasë, Lami do të gjykohet në Gjykatën e Lezhës për shkak të hartës së re gjyqësore./Zoom.al