Aplikacion
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka lavdëruar sulmuesin Mohamed Salah, duke e cilësuar si një “profesionist të jashtëzakonshëm” për mënyrën se si reagoi pasi u la në stol në ndeshjen e fundit të Premier League.
Pas nëntë humbjeve në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet, Slot vendosi ta lërë Salah në stol në fitoren 2-0 kundër West Ham të dielën, hera e parë që egjiptiani lihej jashtë formacionit titullar në kampionat që nga prilli 2024, në kohën e Jurgen Klopp.
Salah, i cili sezonin e kaluar fitoi Këpucën e Artë me 29 gola, këtë edicion ka realizuar vetëm katër herë në Premier League. Slot pranoi se është “e drejtë të mendohet” se sulmuesi nuk ishte i kënaqur që mbeti zëvendësues i papërdorur në “London Stadium”.
“Ky është një reagim normal nga një lojtar i këtij niveli, i aftë të luajë për ne. Dhe po e them me modesti, sepse ai ka qenë i jashtëzakonshëm për këtë klub për shumë vite dhe do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen,” tha Slot.
“Ai nuk ishte i vetmi që nuk ishte i lumtur që nuk nisi titullar, dhe kjo është normale.”
Megjithatë, trajneri theksoi se Salah “u soll shumë mirë” pavarësisht vendimit për ta lënë në stol.
Trajneri i Liverpoolit vijoi vlerësimet për Mohamed Salah, duke theksuar profesionalizmin dhe disiplinën e tij të palëkundur.
“Ai është jashtëzakonisht i disiplinuar – e di saktësisht çfarë duhet të bëjë për të qëndruar në formë,” tha Slot. “Pavarësisht nëse luan mirë apo jo, nëse luan apo nuk luan, ai gjithmonë do të jetë një profesionist i nivelit më të lartë, dhe kështu ka qenë gjatë dy ditëve të fundit.”
Slot shtoi se edhe lojtarët më të mirë kalojnë faza të vështira: “Edhe ata janë njerëz. Salah ka shënuar kaq shumë gola për ne dhe jam i sigurt se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.”
Trajneri konfirmoi gjithashtu se Liverpooli do të duhet të përballet pa sulmuesin egjiptian nga 15 dhjetori, kur ai ti bashkohet kombëtares për Kupën e Kombeve të Afrikës. Finalja e turneut zhvillohet më 18 janar 2026.
“Do të duhet të gjejmë mënyrën si të luajmë pa të, sepse ai nuk do të jetë këtu,” deklaroi Slot.
Liverpooli, kampion në fuqi, aktualisht renditet në vendin e tetë në Premier League, nëntë pikë larg Arsenalit që kryeson kampionatin. Të kuqtë presin Sunderland të mërkurën, përpara udhëtimit të së shtunës drejt Leeds, skuadër që ndodhet në zonën e rënies.