zoom

Politikë

“E ka kaluar kufirin shëndoshë e mirë”/ Artan Hoxha zbulon pse u kërkua sot arrestimi i Ahmetajt

Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha analizoi lajmin e ditës së sotme, kur SPAK iu drejtua me një kërkesë Kuvendit për të arrestuar ish-ministrin Arben Ahmetajn.

Në “Facebook”, Hoxha shkruan se kjo lëvizje ishte e paralajmëruar dhe bëhet vetëm për të hequr vëmendjen nga skandali i ndodhur javën e shkuar në Borizanë, për guroren në pronësi të fisit Rraja.

Sipas Artan Hoxhës, kjo është mënyra sesi Edi Rama vepron sa herë që një skandal i plas në duar: Nxiton të sfumojë ngjarjen me një tjetër lajm të rëndësishëm.

Postimi i plotë i Artan Hoxhës:

Komandanti nuk më zhgënjen kurrë…

Ashtu si parashikova të shtunën, se për të mbuluar skandalin e Fushë-Krujës, do të plaste një skandal më të madh për të mbuluar të parin, ashtu bëri…

Ja ku jemi sot…

“Papritur” dhe “pakujtuar” kërkohet arrestimi i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj…

Arben Ahmetajn aty e kishim që prej një viti, pse duhej ta “arrestonin” me patjetër sot, pasi u “siguruan” që e ka kaluar kufirin shëndoshë e mirë???!!!!

Ja ku e keni “temën e ditës” për të kaluar vapën e këtij meskorriku…

Ndodhi skandali i abuzimit dhe korrupsionit me Safetin, kandidatin e përzgjedhur dhe promovuar direkt nga komandanti, menjëherë me pas plasi “skandali me muxhahedinët”…

Ndodhi skandali me Rrajat në Fushë-Krujë, që atakon direkt kryeministrin dhe tregon degradimin e pushtetit, menjëherë më pas plaset “arrestimi i ish-zëvendësit të kryeministrit”…

Të lumtë Komandant, je magjistar i vërtetë për ta lënë miletin me gojë hapur…